Ministria e Brendshme lyhet me “gjak”

Si për të simbolizuar gjakun e vogëlushes 7-vjeçare të vrarë në Himarë nga një skaf që po drejtohej nga një ish-oficer policie, protestuesit janë mbledhur në Ministrinë e Brendshme, duke hedhur edhe bojë të kuqe në muret e saj, duke kërkuar shkarkimin nga detyra të ministrit Bledar Çuçi.

Pas një ultimatumi 72-orësh të vendosur ditën e premte të 5 gushtit, demonstruesit janë rikthyer në sheshin përpara godinës së Ministrisë, për të vijuar me kërkesat e tyre “të panegociueshme”.

Shkarkimi i Çuçit, i ministres së Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, si edhe i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kërkohet me ngulm nga shoqëria civile.

“Ne jemi vampirët që do të thithim gjakun e pisët që po detyron shqiptarët të mbyten në La Manche për të shpëtuar nga këtu. mos u largoni sepse arratisja nga Shqipëria nuk ju shpëton”, tha një qytetar gjatë kohës kur kishte marrë fjalën përpara Ministrisë.

Pjesëtarë të tjerë nga shoqëria civile, i kanë shtruar ministrit Çuçi një pyetje ndërkaq.

“Si u ndjetë ju zoti ministër kur morët vesh për fëmijët tuaj që i vunë prangat në Itali”, iu referuan ata një rasti të mëparshëm mediatik, ku thuhej se djali i ministrit ishte arrestuar për posedim droge.

Thirrje po ashtu i janë bërë kryeministrit, Edi Rama, që të marrë masa për kërkesat.

Ndërsa marshimi vijon përpara Kryeministrisë, ku do të ketë një vendosje të paafat të protestuesve, siç është deklaruar momentalisht.

Policia e Shtetit ndërkohë, nuk ka vendosur shumë forca policie në terren, për shkak edhe të natyrës paqësore që kjo protestë ka pasur edhe në ditën e parë të saj.

Sërish, në këtë ditë, asnjë incident nuk është shënuar.