Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas lajmeve të publikuara se Roja e Nderit e FSK-së nderon një pllakë dedikuar ushtarëve serbë të vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18.
Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se lajmi i tillë nuk është e vërtetë.
“Me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.
Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje”, thuhet në reagimin e MM-së.
Më tej ministria ka theksuar se “Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman”.
“Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit”, thuhet mes tjerash në reagim.
Kujtojmë se reagimin që Roja e Nderit të FSK-së kanë nderuar pllakën dedikuar ushtarëve serb, e bëri anëtari i kryesisë së PDK-së, Ardi Nurellari.
Nurellari thotë se FSK nderoi ata ushtarë që kanë bërë krimet më masive ndaj civilëve shqiptarë gjatë pushtimit të Kosovës dhe luftërave Ballkanike të cilat tronditën faktikisht gjithë botën e qytetëruar për nga mizoria.
“Roja e Nderit e FSK-së ka shkuar dhe ka nderuar një pllakë dedikuar ushtarëve serbë të vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18. Pra kanë nderuar ata ushtarë që kanë bërë krimet më masive ndaj civilëve shqiptarë gjatë pushtimit të Kosovës dhe luftërave Ballkanike të cilat tronditën faktikisht gjithë botën e qytetëruar për nga mizoria. Ky është një skandal i jashtëzakonshëm që poshtëron kujtimin e dhjetëra mijëra paraardhësve tanë civilë të pafajshëm që u shfarosën nga ushtarët serbë që nderon ai lapidar”, kishte shkruar Nurellari.