Morgan Freemanit i ndalohet hyrja në Rusi

Aktori Morgan Freeman është një nga afro 1000 shtetasit amerikanë që janë goditur me sanksione ruse, duke përfshirë ndalimin e hyrjes në Rusi, shkruan BBC.

Lista e plotë e emrave u publikua nga Ministria e Jashtme ruse të shtunën, dhe përfshin presidentin Joe Biden dhe sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

“Aktori i famshëm regjistroi një video adresë në vitin 2017 duke akuzuar Rusinë për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe duke bërë thirrje për luftë kundër vendit tonë”, shpjegoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

Bëhet fjalë për paraqitjen e Freemanit në një video që akuzonte Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2016, të cilat i fitoi Donald Trump.