Nga Dashnor Kaloçi
Ashtu siç ndodhte rëndom gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore dhe jo vetëm, edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij, Ramiz Alia, pothuaj gjatë gjithë periudhës së sundimit të tyre, një prioritet të veçantë kishin edhe përgjimin e selive diplomatike të akredituara në Tiranë, si dhe banesat ku ishin sistemuar trupi diplomatik i huaj. Kjo gjë duket qartë nga ky dokument arkivor që po publikojmë, i cili i përket muajit tetor të vitit 1982, ku oficeri i Sigurimit të Shtetit, Hasan Ulqinaku, me anë të një letre me siglën “Sekret”, informon ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, lidhur me problemin e përgjimit me teknikë operative, të ambasadës egjiptiane në Tiranë, e cila ndodhej në një vilë në Rrugën “Qemal Stafa”, (ngjitur me murin e “Shkollës së Kuqe”), godinë e cila është edhe sot aty.
Dokumenti në fjalë me letrën e Hasan Ulqinakut, i është dërguar ministrit të Brendshëm të asaj kohe, në kuadër të hetimit të ashtuquajturit; “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, i cili sapo ishte arrestuar (me 10 tetor 1982) dhe mbahej nën masa të rrepta sigurie në Burgun e Tiranës (Reparti 313), ku prej kohësh në qelitë e tij ndodheshin të arrestuar e në proces hetimor, edhe disa prej ish-funksionarëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe njëkohësisht bashkëpunëtorë të ngushtë të Kadri Hazbiut ndër vite, si; Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Brendshëm në periudhën 1979-1982, Mihallaq Ziçishti, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Llambi Peçini, ish-kryetar i Degës së Sigurimit dhe Ruajtjes Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, Elham Gjika, ish-shefi i Hetuesisë pranë Ministrisë së Brendshme, Kristofor Martiro, ish-hetuesi kryesor i “Grupit të Beqir Ballukut”, Gani Kodra dhe Ali Çeno, ish-komandantë të grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut, etj.
Po ashtu në qelitë e “Repartit 313”, (siç quhej ai burg që njihej ndryshe edhe “Kaushi i Tiranës”), në atë periudhë mbaheshin të izoluar dhe në proces hetimor, edhe Fiqret Shehu, bashkëshortja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin, ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, etj.
Për hetimin e këtij “Grupi armiqësor të kryesuar nga Kadri Hazbiu”, me porosi të udhëheqjes së lartë dhe personalisht të Enver Hoxhës, ishte formuar një “Grup Operativ Special”, që kryesohej nga zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, që nën kujdesin e udhëzimet e ministrit të Brendshëm Hekuran Isai, (i sapo emëruar në atë post ministror), kishin si detyrë: “Hetimin dhe zbardhjen e veprimtarisë armiqësore të Grupit të Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut”.
Në këtë kuadër, i është dërguar Grupit Operativ Special edhe letra e oficerit të Sigurimit, Hasan Ulqinaku, lidhur me problemin e përgjimit me teknikë operative të ambasadës egjiptiane në Tiranë, me qëllim fajësimin e ish-ministrit Kadri Hazbiu, që sipas tyre, nuk kishte lejuar përgjimin e asaj ambasade, në një kohë që sipas asaj që kishte deklaruar punonjës i Sigurimit, Dajlan Hajdari, urdhri ishte dhënë personalisht nga “Komandanti”, siç quhej në atë kohë Enver Hoxha.
Por edhe pse në shënimin e tij me shkrim dore, në krye të raport-informacionit në fjalë të Hasan Ulqinakut, ministri i Brendshëm Hekuran Isai, është munduar të fsheh atë gjë, duke shkruar se; “Komandanti nuk ka dijeni”, shumë më e besueshme është ajo çka ka dëshmuar Dajlan Hajdari, pra fakti se ambasada egjiptiane në Tiranë, është përgjuar me teknikë operative, me urdhër të Enver Hoxhës. Por për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, që është marrë dhe de-klasifikuar nga fondi i Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, i cili publikohet nga Memorie.al