Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se ka refuzuar kërkesën e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patriarkanën e Pejës.
Përmes një komunikate për media, MPJD njofton se derisa Serbia të vazhdojë të shkel Marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në Serbi dhe të mos ndalet me fushata kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana e Kosovës.
“Lidhur me kërkesën e Patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirie, për të vizituar Patriarkanën e Pejës më 13.05.2024, ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka refuzuar këtë kërkesë.
Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë.
Ashtu siç dihet, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur marrëveshjen bazike dhe për të penguar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me këtë qasje dhe luftë me çdo mjet kundër Kosovës nuk do këtë aprovim te vizitave të tilla”, thuhet në njoftim.
Lajmi është bërë i ditur më herët gjatë ditës nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Patriarku serb ishte dashur të kalonte sot në orën 13:30 në Merdarë. Por në momentin kur ai ishte afër vendkalimit nga Kosova erdhi një ndalim duke thënë se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në hapësirën e Kosovës, ndalimi erdhi 13 minuta para vizitës së paralajmëruar “, thuhet në njoftimin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.