Një mural me imazhin e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, është zbuluar tek ndërtesa, e cila ndodhe në Banja Llukë, kryeqyteti i entitetit serb “Republika Srpska”, në Bosnje dhe Hercegovinë, shkruan mediumi serb Danas.
Murali përmban mesazhin e “bashkimit” te Republika Srpska-s me Serbinë.
“Bashkimi ka filluar dhe nuk mund të ndalet më”, ka shkruar ai krahas personazhit të Vulin dhe trengjyrëshit serb.
Me 10 dhjetor, Kuvendi Kombëtar i Republika Srpska-s (NARS) miratoi konkluzionet për bartjen e kompetencave dhe juridiksionit nga niveli shtetëror në atë të entitetit të serb, që udhëhiqet nga partia e Millorad Dodik (SNSD).
Kjo ishte lëvizja e parë konkrete secesioniste ose shkëputëse nga anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili është determinuar në rikthimin, siç e quan ai “Dejtonin Origjinal”.
Dodik ka paralajmëruar se do të kriojë forcat ushtarake, gjyqësorin, shërbimet policore dhe të inteligjencës, dhe të tatimit direkt brenda entitetit serb.
Çka është Bota Serbe, dhe çfarë do të thotë ajo brenda peizazhit politik të Ballkanit Perëndimor, peizazh ky ditë e më shumë i rënduar nga kriza të cilat peshën e tërheqjes e kanë nga Serbia?
Një prej artikuluesve të këtij koncepti të mjegullt së fundmi ishte Ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili e trumbetoi atë në thirrje ndaj “të gjithë serbëve”, kudo që janë, të gravitojnë brenda një sfere të vetme politike.
“Detyra e kësaj gjenerate politikanësh serbë është të krijojnë Botën Serbe, e cila do t’i bashkojë të gjithë serbët, pavarësisht se ku jetojnë”, tha ai në një tubim të Lëvizjes Socialiste Serbe në Beograd.
Për t’i dhënë kreshendo nacionalizmit, Vulin, pohoi edhe se “po qe nevoja, t’i mbrojmë edhe ushtarakisht”.
Por, pse kjo nevojë mbrojtje dhe nga kush, është e paqartë.
Çfarë ka qartësi, është retorika tradicionale e viktimizimit të serbëve, dhe shfaqjes së një shpëtimtari të tyre në skenën politike.
Edhe vetë ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Zhizhkoviç, kohëve të fundit shprehu shqetësimin e tij nga të gjithë ata që fshihen prapa këtij versioni të ri të idesë së vjetër për Serbinë e Madhe, nën të cilën promovojnë veten si mbrojtës e shpëtimtarë të serbëve “të rrezikuar”.
“Nuk ka më serbë në Sarajevë siç kishte dikur. Serbë nuk ka më fare në Mostar, e as në Kosovë. Prandaj, unë po i kërkoj këtij ekipi që të mos i mbrojë më serbët askund”, deklaroi Zhizhkovic
Aleksandër Vulin, në funksion të elaborimit të ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Aleksandër Vuçiç, si zëdhënës i ideve për të cilat presidenti i tij s’flet, e ka komoditetin, që publikisht, t’i hedh këto ide serbo-madhe, në mënyrë që të çlirojë Vuçiçin nga barra e të dhënit përgjigje për këto ambicie të errëta të Serbisë.
Në prill të këtij viti, Vulini me habi të panatyrshme pyeste se “si ka mundësi që kufijtë në Ballkan të jenë të pandryshueshëm”, dhe vriste mendjen se pse çështja e Serbisë nuk mund të ndreqet përmes “bashkimit të serbëve brenda një shteti të vetëm?”.
Historianët shkencorë konsiderojnë se kjo s’është asgjë tjetër më shumë sesa një kontinuitet dhe derivacion i projeksionit të Serbisë së Madhe, e cila ishte edhe arsyeja kryesore që çoi në luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi.
Diplomati, historiani dhe punonjësi shkencor në Institutin Albanologjik të Kosovës, Dr. Ylber Hysa për Albanian Post tregon se ideja e Botës Serbe ndërtohet mbi dy premisa.
“Premisa e parë është vazhdimësia e politikave të gjata tradicionaliste-konzervative serbe me bazë që nga Naçertanje e Ilija Grashaninit, tek elaboratet e SANU-s (Akademia e Shkencave dhe Arteve Serbe), te Gazimestani i Millosheviçit, e deri te katër luftërat e ish-Jugosllavisë si pasojë e ambicies për ‘të gjithë serbët në një shtet’”, shtjellon historiani Hysa.
Ndërsa premisa e dytë, sipas Hysës, është se Bota Serbe është kopjim identik i projektit të Botës Ruse.
Në fakt, Hysa thotë se “Të dyja, bota serbe dhe ajo ruse kanë lindur si pasojë e rikonceptimit në rrethana të reja kur serbët dhe rusët janë gjetur jashtë shtetit, pas shpërbërjes së federatës komuniste të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik”.
“Edhe nëse ato tani rikonceptualizohen si përpjekje kulturore e identitare”, tregon Hysa, “vështirë se mund t’i bindin të tjerët se nuk kanë reminishenca të së kaluarës”.
Ndërsa filozofi dhe profesori universitar, Blerim Latifi, Botën Serbe e konsideron vetëm eufemizëm të ri e të sajuar së fundmi, e cila është vetëm një maskaradë e një qëllimi të kamotsh;m të Serbisë.
“Bota Serbe është një eufemizëm i shpikur nga politika aktuale serbe për t’i kamufluar ambiciet e shtetit serb për të qenë faktori kryesor në rajoni e Ballkanit Perëndimor”, shpjegon Latifi për Albanian Post, duke shtuar se ajo “është një projeksion i synimeve strategjike për një hegjemoni të re të Serbisë”.
“Natyrisht ky projeksion do të haste në rezistencë të madhe nga Perëndimi nëse do të prezantohej me fjalorin e vjetër të nacionalizmit serb, prandaj ky term i ri për një qëllim të vjetër”, përfundon Latifi.
Një nga ideologët e konceptit të botës serbe është edhe historiani Aleksandër Rakoviç në Institutin për Historinë e Re të Serbisë. Për të një gjë e tillë është “edhe legjitime edhe ligjore”.
“Pozicioni im, si historian profesionist dhe patriot serb, është se kjo është një ide superiore. Zgjidhjet e drejta duhet të gjenden në zonën post-jugosllave”, ka thënë ai.
“Nëse do të interpretoja modelin e Vuçiç-it për botën serbe, do të ishte çështje e lidhjes kulturore, përkundër asaj të Vulin-it, e cila determinohet qartazi si një lidhje shtetërore. Prandaj, bota serbe nuk është një koncept i kthjellët dhe i kuptueshëm”, tha Aleksandar Rakovi.
Ideologë, që ushqejnë ide për ose të këso Botash imagjinare Serbe, ende e gjuajnë karrotën hipnotike të nacionalizmave rezultatet e të cilave dihen, dhe s’duhet mend përpos një retrospektive në vitet e 90-ta, për të parë fytyrën e vërtetë të këtyre projeksioneve.