Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se qeveria Kurti ka arritur të luftojë grupet kriminale dhe të heq barrikadat në veri.
Sipas tij, në veri tani është një gjendje tjetër, të cilën ai e quan si arritje të përkohshme, derisa edhe ngrit dilema se sa do të jetë e qëndrueshme kjo.
“Kjo qeveri ka treguar se mund të evitojë ose heq barrikadat në veri dhe që mund të luftojë grupet kriminale që kanë vepruar hapur në veri, pasi të dyja i ka bërë. Tani a i ka bërë me marrëveshje apo pa konsultim të faktorit ndërkombëtar, është çështje tjetër. Ndërkombëtarët janë deklaruar se të gjitha ato janë bërë pa informimin dhe konsultimin e tyre. Mirëpo tani një gjendje tjetër është në veri sa i përket barrikadave…Mirëpo kjo nuk do të thotë se ne kemi shtrirë sovranitet, pasi kjo situatë po mbahet me polici, s’po mbahet atje me organe të pushtetit civil”, thotë ai.
Duke vënë në pah sa e vështirë ka qenë liria e lëvizjes në veri, ish-kreu i ekzekutivit përmend një rast në vitin 2016, kur i ishte bllokuar rruga nga serbët lokalë, duke shkuar në Leposaviq.
Mustafa e pranon se tani ka liri më të madhe të lëvizjes në katër komunat veriore, mirëpo thotë se kjo duhet të shndërrohet një lëvizje që reflekton si sjellje normale dhe jo si demonstrim të forcës.
“(Lëvizja e lirë në veri) Gjithmonë ka qenë problem. Unë jam nis të shkojë në Leposaviq me ftesë të KFOR-it, pasi ata e kanë ndërtuar atë rrugë, por ne kur u nisëm na u bllokuan rrugët në veri. Ne kishim pakës problem të kthehemi dhe të dorëzohemi se pse s’po shkojmë. Unë u konsultova me përcjelljen, policinë dhe ne u futem në rrugë dytësore dhe mbërrijmë në kohë atje dhe u kthyem. Ka qenë gjithmonë problem…(Lëvizja e lirë tash në veri)”, deklaron Mustafa.
Në anën tjetër, Mustafa kritikon kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të raporteve me aleatët, veçmas ShBA-në.
“(Aleatët) Ata po thonë që janë dëmtuar (raportet), ShBA-ja po thotë se janë dëmtuar, ndërsa qeveria jonë po thotë se s’janë dëmtuar. Ne duhet të jemi të qartë dhe të brengosur për vlerësime të tilla. Nëse partneri ynë ndërkombëtar thonë se komunikimi me qeverinë nuk është i mirë se veprimet e qeverisë po bëhen jashtë informimit tonë dhe jashtë përkrahjes sonë. Ndërkaq qeveria në anën tjetër thotë se çdo gjë është në rregull. Ne shohim se kryeministri ynë shkon në ShBA dhe askush s’e pranon nga Departamenti i Shtetit, Senati, Kongresi dhe të tjera”, thekson Mustafa.