NATO do të ketë 300,000 ushtarë në gatishmëri të lartë, të cilët do të mbrojnë çdo këmbë të territorit aleat nga çdo kërcënim, tha të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare.
“Sot, ministrat diskutuan planet tona të reja rajonale. Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ne po lidhim plotësisht mbrojtjen tonë kolektive, duke planifikuar forcat tona, aftësitë tona dhe komandën dhe kontrollin”, tha Stoltenberg.
“Si rezultat, NATO do të ketë më shumë se 300,000 trupa në gatishmëri të lartë, të mbështetur nga aftësi të konsiderueshme ajrore dhe detare për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat kundër çdo kërcënimi,” tha Sekretari i Përgjithshëm.
Në të njëjtën kohë, Reuters raporton, duke cituar një burim diplomatik të paidentifikuar, se ministrat nuk arritën një marrëveshje për planet e reja rajonale, se Turqia bllokoi vendimin për shkak të tekstit që i referohet vendndodhjeve gjeografike, përfshirë Qipron. Këto janë plane ushtarake sekrete me detaje se si Aleanca do t’i përgjigjej një sulmi rus, transmetojnë mediat.
Stoltenberg tha se ministrat ishin afër një marrëveshjeje dhe Reuters citoi një diplomat të paidentifikuar të thoshte se kishte një shans që të gjendej një zgjidhje përpara samitit në Vilnius.
Takimi i ministrave të mbrojtjes u mbajt në kuadër të përgatitjeve për samitin e ardhshëm të liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet më 11 dhe 12 korrik në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë.
NATO dhe Ukraina
Tema kryesore si në takimin ministror ashtu edhe në samitin e pritshëm do të jetë Ukraina dhe mbështetja e vazhdueshme e aleatëve ndaj këtij vendi në mbrojtje kundër agresionit rus.
Stoltenberg tha se forcat ukrainase i kanë shtuar operacionet në terren, se po përparojnë vazhdimisht, por se po përballen me terrene të vështira, me trupa ruse të ngulitura dhe po luftojnë ashpër.
“Është thelbësore që ne të shtojmë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Stoltenberg dhe përshëndeti njoftimin e Danimarkës dhe Holandës për të nisur një iniciativë për të trajnuar pilotët ukrainas në avionët luftarakë F-16.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të dërgojnë qindra raketa kundërajrore me rreze të mesme veprimi në Ukrainë. Aleatët kanë premtuar gjithashtu më shumë mbështetje në kuadër të paketës gjithëpërfshirëse të ndihmës së NATO-s dhe kontributet e tyre deri më tani kanë arritur në 500 milionë euro.
Po punohet gjithashtu për një paketë ndihme shumëvjeçare për forcat e sigurisë dhe sektorin e mbrojtjes të Ukrainës që të bëhen të ndërveprueshme me NATO-n.
Në planin politik, do të krijohet Këshilli NATO-Ukrainë, në të cilin Ukraina do të jetë në pozitë të barabartë me 31 anëtarët e tjerë të NATO-s.
Historia nuk duhet të përsëritet
Stoltenberg tha se NATO mbetet e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura, se e ardhmja e Ukrainës është në NATO dhe se Rusia nuk mund të ketë veto në këtë drejtim.
“Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta, por kur të përfundojë, ne duhet të kemi një kornizë që do të garantojë sigurinë e ardhshme të Ukrainës dhe do të sigurojë që historia të mos përsëritet”, tha Stoltenberg.
Ministrat diskutuan gjithashtu planet e veprimit të NATO-s për forcimin e industrisë së mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprimit.
Stoltenberg tha se ai priste që aleatët në Vilnius të bien dakord që shpenzimet e mbrojtjes duhet të jenë të paktën dy për qind të PBB-së.
Në samitin në Vilnius, NATO duhet të zgjedhë një Sekretar të ri të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit të norvegjezit Jens Stoltenberg. Mirëpo, gjithnjë e më shumë po përmendet se Stoltenberg-ut mund t’i vazhdohet sërish mandati, pasi me sa duket nuk është gjetur asnjë kandidat për të cilin të gjitha shtetet anëtare do të ishin dakord.
I pyetur nga një gazetar, Stoltenberg tha se nuk po kërkon vazhdimin e mandatit të tij, i cili skadon në gusht.