Në Gjermani, krahasuar me Kosovën, çmimi i naftës është vetëm 15 cent më shtrenjtë. Teksa në Kosovë çmimet të shtunën sillen mesatarisht rreth 1.75 euro, në Gjermani ato janë rreth 1.90, bazuar në të dhënat e faqes së derivateve atje. Por të ardhurat e qytetarëve të Kosovës janë gjashtëfish më të vogla krahasuar me ata që jetojnë në Gjermani.
Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Gjermani çmimet e derivateve pësuan rritje të jashtëzakonshme pasi shteti varej shumë nga nafta ruse. Çmimet u bën të papërballueshme për qytetarët, pavarësisht të ardhurave të larta. Sanksionet e Perëndimit vështirësuan edhe më shumë importin e naftës ruse.
Por qeveria e kancelarit Olaf Scholz mori vendim për të hequr akcizën e derivateve nga 1 qershori. Kjo politikë i ka ulur çmimet e derivateve për më shumë se 30 centë. Ky vendim do të jetë në fuqi për tre muaj e verës, deri më 1 shtator. Në këtë periudhë, gjermanët udhëtojnë më shumë.
Ndërkohë, në Kosovë çmimi i derivateve u rrit për gati 10 centë brenda një dite të premten. Çmimet janë rritur edhe më shumë gjatë së shtunës.