Tri herë opinga rrahu dheun,
sikur kërkoi leje prej tij,
pastaj shamia palët ndehu
me qetësi me madhështi.
Kështu midis qiellit e dhe botës
vallja u lind, vallja u shpall,
këmba sinjale i çon tokës
dhe dora qiellit i jep lajm.
Dhe vallja rrokulliset tutje
në kohëra hedhur si hobe,
prilli përsipër i hedh lule
dhjetori borën shkund atje.
Valle shqiptare, shënja n’erë
ylbere tirqesh tej-tëhu.
Kush ju kërceu ju njëherë
dhe këmbët rob s’i mbenë te ju?
Kush ra midis vorbullës suaj
dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak
ju bubullima me opinga,
që nëpër shekuj bridhni varg.
Atë kohë Zekthi solli në Shqipëri gjerdanin e artë të festivalit të Dijon, e bashkë me të edhe oshtimën e metaforave nga shtypi francez i asaj kohe. Ai ishte krijuesi dhe valltari që nuk u shkëput kurrë nga elementët e popullit dhe u ngjit në skenë sa herë që kishte fuqi.
Kjo është dalja e tij e fundit si valltar në vitin 2000, e megjithatë ai ishte gjithnjë aty, në Teatrin e Operas dhe Baletit, sa herë ansambli përgatitej për një tjetër shfaqje.
Ndonëse kishte lënë Rexhep Çelikun si pasardhësin e tij, praninë e Zekthit e kërkonin të gjithë me sy në provat e radhës. Gjashtë vite më parë edhe publiku i ri e njohu si krijues. Në një spektakël kushtuar krijimtarisë së tij, si koreograf, Zekthin e shihje bashkë me ansamblin e atyre viteve, Ansamblin e Rexhep Çelikut të rrinte në skenë, për këshillat dhe kritikat. Sepse të gjithë donin që lëvizjet që kish krijuar Besim Zekthi të kishin emocionin e mjeshtrit të madh.
Kjo është shfaqja e fundit që publiku shijoi koreografinë e Besim Zekthit ulur në rrjeshtin e parë të spektatorit dhe lëvizjet e një tjetër valltari të jashtëzakonshëm si Rexhep Çeliku. E njëlloj si kjo valle për të gjithë këta të rinj të ansamblit, Besim Zekthi është një festë e madhe e kulturës sepse ka lënë pas një thesar të madh lëvizjesh.
Ndërsa themi Besim Zekthi, të gjithë do ta lidhin këtë emër me një festë, me një kujtim të bukur…por ndërsa artisti nuk është më dhe duartrokitjet vijojnë, le ta kujtojmë dashurinë dhe kujdesin që ai kishte për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.
Besim Zekthi është ndër pak artistë të këtij vendi, që u duartrokit nga miliona njerëz. U dekorua dhe u vlerësua me çmimin “Nder i Kombit” para se të largohej nga kjo jetë. 60 vjetori i ansamblit ishte festa e tij e fundit.