Ministri i Punëve të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, nën masa të rrepta sigurie, të martën e 26 korrikut ka vizituar vendin e rënies së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberit, përkatësisht në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në fshatin Zubç.
Nga këtu Sveçla ka kujtuar 11 vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit duke vendosur buqetë me lule në vendin e rënies.
“Historia e shtetndërtimit tonë mbanë emrin e Enver Zymberit, si dëshmor në përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë. Të gjithë ne, Policia e Kosovës dhe kolegët e tij bartin kujtime e krenari për Enverin duke rikujtuar po ashtu të gjithë ne thirrjen për drejtësi për vrasjen e tij”, ka shkruar Sveçla në rrjetin e tij social në Facebook.
Sipas Sveçlës, gjeneratat e Policisë kanë shembullin më të mirë të një zyrtari policor, që nuk hoqi dorë nga betimi i tij si polic deri në momentet e fundit të jetës së tij.
“Lavdi Enver Zymberit dhe gjithë zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës!”, ka shtuar ai.