Nenad Çanak: Kosova – vend i së bukurës dhe vdekjes (dokumentar)

Ka ardhur në Kosovë. Dhe jo vetëm që ta shohë nga afër jetën a historinë këtu. Por t’ua tregojë atë të birit e nipit. Ose, më saktë – që edhe ata ta njohin sikurse ai.


Nenad Çanak tash e tridhjetë vjet është zë kundër luftërave a çfarëdo urrejtjeje midis popujve. Jo rrallë i sulmuar nga nacionalistët në vendin e tij.

Kosovën nuk e viziton si pjesë të Serbisë. Përkundrazi. Është i interesuar se si jetojnë shqiptarët dhe serbët në republikën më të re të Evropës.

I shoqëruar nga i biri 22-vjeçar, Milani, dhe nipi 38-vjeçar, Nenadi, të cilit ia ka dhënë emrin, kryetari i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës është i interesuar të mësojë për marrëdhëniet e tanishme midis shqiptarëve dhe serbëve.

Gjatë rrugës thotë të ketë kaluar shumë mirë. I përcjellë gjatë gjithë vizitës nga Policia e Kosovës, Çanak, 61-vjeçar, në tri ditët e javës së fundit të qershorit, ka qëndruar në një hotel jo larg qendrës së Prishtinës.

Por gjatë rreth 70 orëve i ka rënë të përballej edhe me situata të rënda emocionale që janë rezultat i agresionit serb mbi shqiptarët. Sikurse momenti kur takoi Luljeta Sharanin, së cilës ia kanë vrarë dy djemtë dhe bashkëshortin.

“Pa i bo askujt asgjë hiç.. Familjes Sharani vetëm tanket s’i kanë qenë në oborr. Të armatosur deri në dhëmbë. Ne me duar thatë, me duar në xhepa…”, i thotë Sharani me zë të dridhur e lot në sy. Nuk është i gjatë komunikimi me të. Por mjaftueshëm sa për t’ia rrëfyer krejt ngjarjen. Dhe dhimbjen që ndien ajo edhe sot, 22 vjet pas luftës. Sharani i flet Çanakut, në detaje, me data, momente, e dialogë me të bijtë në çastet e fundit të jetës së tyre.