Nënë Myzejenit i mbushet shtëpia me ushqime: Dje këtu thyente kokën miu, do t’i ndaj me të varfrit

Prej pak ditësh kishte mbetur pa ushqime. Mjaftoi një takim i rastësishëm me gazetarin e ABC News, Elton Nikën dhe klithma e urisë e nënë Myzejen Jaupit u dëgjua brenda dhe jashtë vendit. Që prej atij moment dhe vijon dhe sot dera e telefoni nuk i ka reshtur së rëni.

“E gjithë Vlora. Njerëz më kanë marrë plot. Që nga Belgjika, nga Italia nuk ka pushuar telefoni deri në 11 të natës. Mua më vinte gjumë isha gati për të fjetur dhe binte zilja. I përgjigjesha. Nga Tirana më merrnin nga Durrësi nga Fieri”, thotë nënë Myzejeni.

Gjithsesi ajo është aq modeste sa ju thotë atyre që duan ta ndihmojnë se ka mjaftueshëm ushqime.

Myzejeni thotë se u ka thënë që të mos e marrin më në telefon se ka ushqime, por ajo shton se ata i thonë që kur të mbetet “do na marrësh ne në telefon, të jemi gjallë shyqyr.”

Nëna e 4 fëmijëve, me tre prej tyre në emigracion dhe një tjetër në burg, ishte në pritje të datës së pensionit ndaj dhe nuk kishte mundësi të ushqehej, ndërsa kishte trokitur dhe pranë Bashkisë së Vlorës për ndihmë por rradha s’po i vinte. Ky institucion ju përgjigj katër ditë pas kërkesës së saj dhe daljes në ABC News.

E moshuara shprehet:

“Falenderoj edhe qeverinë edhe Edi Ramën që u tha… por mua Bashkia mi pruri pas katër ditëve, ndërsa gazetarët mu gjendën ditën e parë.”

83-vjecarja kur sheh shtëpinë plot e përplot me ushqime thotë se ka shumë të varfër në zonën ku jeton dhe një pjesë të tyre do t’i ndajë me ta.

“Do u jap edhe aty që s’kanë, që janë në nevojën e tyre. Keq më vjen se zemra më bën. Unë do mbaj sa për veten time se një njeri jam..Do u jap atyre që skanë, që i njoh që janë me fëmijë shumë. Çi dua unë një njeri jam, një gojë kam”, thotë ajo në fund.