Në bazë të vendimit që e ka marrë Banka Qendrore, nga nesër ndalohet përdorimi i dinarit serb në pagesat me para të gatshme në vend.
Kjo temë u diskutua dje edhe nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryeministri Albin Kurti.
Pas takimit, Lajçak paralajmëroi se sot do të jepen më shumë informacione lidhur me këtë çështje.
“Ne e përmendëm këtë çështje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por nuk dua të veproj si zëdhënës i Qeverisë kosovare, por ju do të njoftoheni nesër. Pra, ju do të mësoni më shumë rreth kësaj”, shtoi ai, shkruan Gazeta Sinjali.
Ende nuk dihet se çka do të deklarojë kabineti i Kurtit, por dihet se ditë më parë ky i fundit ishte takuar me ambasadorët e QUINT-it, dhe u kishte thënë se është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta dhe ligjshmëria në vend dhe gjithashtu që të respektohen autoritetet e pavarura në vend sikurse BQK.
“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Ndryshe, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.
Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.
Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.
Kundër vendimit ka dalë Bashkimi Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit.