Ngrihet ‘përbindëshi’ buzë detit/ Pamjet e ndërtimit të hotelit ngjitur me bregun në Vlorë

Situata e ndërtimit në Vlorë ka dalë jashtë kontrollit, ku persona të papërgjegjshëm me leje ose pa lejë, ndërtojnë hotele disa katëshe, mbi shtratin e detit “Jon” dhe askush nuk i shqetëson pronarët por edhe punëtorët që janë kontraktuar për ndërtimin e këtij hoteli.

Fotografitë e siguruara nga “Shqiptarja.com” tregojnë më së miri babëzinë për shkatërrimin e bregdetit të Vlorës, ku këtë herë një kompani ndërtimi është ndërtuar një hotel 5 deri në 6 kate.

Sipërfaqja e tokës, ku po ndërtohet hoteli, duket qartë që është një sipërfaqe që ndodhet ngjitur me bregun e detit, duke e mbushur me inerte dhe depërtuar brenda në det. Mbi këtë sipërfaqe toke po ndërtohet ky hotel, që shihni në fotografitë e siguruara nga “Shqiptarja.com”, por edhe në mënyrë artificial është shtuar pjesa e territorit, duke hyrë brenda në det dhe vendosur shezlonge. Ky rast është tipik me atë të kompleksit “Jon” në Vlorë, pasi treçereku i pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës ishte ndërtuar brenda në det. Kompleksi “Jon” u rrëzua me tritol në 2014, duke i hapur rrugën ndërtimit të shëtitores “Lungomare”. Në foto shihen punëtorë dhe betonjere që hedhin beton dhe kryejnë punime.

Nuk dihet nëse investitori disponon lejë ndërtimi ose jo, por nëse shihet me vëmendje, ndërtimi i këtij objekti pikërisht në këtë zonë, ka thyer të gjitha kriteret e urbanistikës, duke filluar nga distanca me bregun, distanca me objektet e tjera që ka përkarshi, zaptimi i bregut të detit, e cila me ligj është tokë publike etj. Zona ku po ndërtohet hoteli është tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë, pikërisht poshtë kompleksit “Marina Bay”. Ndërtimi i këtij hoteli brenda në sipërfaqen e detit, po kryhet në një kohë kur në Vlorë, kryebashkiaku Dritan Leli dhe kryeministri Edi Rama, kanë marrë një fushatë të prishjes së hoteleve, restoranteve dhe bareve, me qëllim zgjerimin e vijës së shëtitores Lungomare buzë bregut të Vlorës.