Ditën e sotme do të nisë procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave, nën organizimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë.
Censi do të zgjasë për 6 javë dhe do të mbyllet më 26 tetor, teksa të dhënat e para do të prezantohen në qershorin e vitit 2023.
Një financim 4.8 milionë euro në grante nga Bashkimi Europian, për mbarëvajtjen e këtij censi janë mobilizuar 7500 anketues që do të trokasin në ditët në vijim në banesat e çdo shqiptari për të mbledhur të dhënat e tyre.
Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.
Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.
Për qytetarët të cilët refuzojnë të përgjigjen apo nuk japin të dhëna të sakta, do të aplikohet një gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.
Censi 2023 është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, ku i pari është zhvilluar në vitin 1923 dhe i fundit në vitin 2011.
Në eventin ku u prezantua ky cens, kryeministri Rama e cilësoi një detyrë patriotike, dhe iu bëri thirrje që të marrin pjesë në të. Një thirrje gjatë ditëve të fundit ka ardhur dhe nga komunitetet fetare, të cilat iu kanë kërkuar besimtarëve të tyre që të deklarojnë përkatësinë fetare kur të pyeten nga anketuesit.