Kryetari i komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj pas mbledhjes së këtij komisioni ka thënë se ata nuk trajtojnë çështjen që kanë përfunduar në gjykatë, raporton Gazeta Express.
Selmanaj ka thënë se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka bërë kërkesë të pabazuar sepse një çështje e tillë është e qartë edhe sipas Kushtetutës.
Ai ka deklaruar se i kanë kthyer përgjigje kryetares së Kuvendit, nga e cila kanë kërkuar që të respektojë ligjet.
“Kërkesa që për vlerësimin tonë ishte e pabazuar nga ana e kryetares së Kuvendit, që ta trajtojmë mandatin e deputetit Etem Arifi normalisht ne si trajtojmë çështjet e përfunduara gjyqësore që janë me kushtetutë shumë të qarta, ne si komision vlerësuam t’i japin një përgjigje kryetares së Kuvendit, ku I thamë respekto ligjet”, tha ai.
Komisioni ka shqyrtuar edhe ankesën e deputetit Behgjet Pacolli. Selmanaj ju ka bërë thirrje institucioneve që të ia mundësojnë Pacollit ushtrimin e detyrës.
“Çështja e dytë kishte të bënte me shqetësimin e z.Pacolli si deputet që pretendonte se është penguar në ushtrimin e mandatit të tij si deputet nga Qeveria e Kosovës, kjo bie në mandatin e komisionit ne e dhamë vlerësimin tonë dhe I bëmë thirrje të gjitha institucioneve që të bëjnë veprimet e tyre që të lejojnë dhe mundësojnë ushtrimin e mandatit për z. Pacolli, ne nuk paragjykojmë, e rëndësishme është që deputeti Pacolli por edhe secilit deputet duhet ti mundësohet ushtrimi mandatit të tij në mënyrën e lirë sikur çdo deputeti. Këtë e thotë rregullorja e punës dhe Kushtetuta”, tha ai.
Selmanaj tha se për deputetin Arifi, Osmani duhet të komunikojë me presidentin dhe KQZ’në.
“Në momentin kur ka aktgjykim të prerë, janë procedurat që kryetarja e kuvendit komunikon me presidentit, presidenti me KQZ’në çështjet që janë të qarta nuk janë kompetencë e komisionit tonë. A kanë qenë të ligjshme sjellja e deputetit Arifi për këtë ka një analogji që mund të përdoret.
Të mos e ngarkojmë komisionin me përgjegjësi për të cilat edhe vetë e dinë se nuk kanë kompetencë të na referohen, në kërkesën që më është drejtuar nga ana e Kuvendit, asnjë referencë nuk ka në rregullore, më është referu në emër të përveqshëm. Kështu nuk funksionojnë institucionet, duhet të drejtojmë kulturë institucionale në Kosovë”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK’së tha se duhet të gjenden forma që ia mundësojnë Pacollit të votojë në seancë.
“Ne mendojmë asnjë institucion nuk duhet të pengojë një deputet që të vijë në Kuvend, janë publike ato si është tentuar që z.Pacolli të pengohet, ne nuk po paragjykojmë. Çka për neve është e rëndësishme është që çdo institucion të bëjë çmos që deputetët të mos ndalohen.
Shteti duhet të gjejë forma si të votojë deputeti, nuk duhet të pengohet. Këto janë skandaloze, mund të mendohen vetëm në regjime tjera, jo në regjime demokratike”, ka thënë ai.