I quajtur në një rast si “fatkeqësi natyrore”, apo dhe si “gomar”, pikërisht nga kryeministri Rama, kreu i diplomacisë serbe ka thënë sërish se burimi i konfliktit në rajon është Shqipëria e Madhe.
Por sipas tij, duhet të ketë një “botë serbe”.
“Unë besoj fuqimisht në nevojën për të krijuar një “botë serbe”, që serbët të jenë një popull i vetëm politik që marrin vendime unike politike për çështjet kyçe dhe i formulojnë ato në Beograd. Ky është çelësi i mbijetesës sonë”, tha Vulin për Novostin.
“A është e mundur që Viola von Cramon, Zagrebi, Prishtina, Podgorica, elementët islamikë në Sarajevë në fakt të na dëshirojnë të mirën dhe për këtë arsye të sulmojnë “botën serbe”? Unë nuk do të thosha. Të gjithë na urojnë mirë, por që të ketë sa më pak serbë përtej kufijve të Serbisë dhe të mos ekzistojë ndikimi i Serbisë”, tha Vulin.
Ai pyeti gjithashtu se çfarë do të përfitonte Serbia nga anëtarësimi eventual në Bashkimin Evropian nëse, siç tha ai, do të thoshte se “ne duhet të heqim dorë nga e vërteta për popullin tonë, të pranojmë gjenocidin e Srebrenicës. kërkojmë falje kroatëve për Jasenovacin, se duhet të pranojmë se nuk kemi miq në Lindje, se duhet të largohemi nga Republika Srpska”.
Ai shtoi se nuk beson në mundësinë e një lufte të re në Ballkan, por vlerësoi se “burimi më i madh i konfliktit” ishte politika e Shqipërisë së Madhe.