Shumë martohen, por dhe shumë divorcohen. “Deri se vdekja të na ndajë”, betimi i çifteve që lidhin kurorë, përherë dhe më shumë po humb domethënien. “Numri i divorceve është rritur shumë vitet e fundit, flas edhe për qytetet e vogla, jo vetëm për Durrësin dhe Tiranën”, thotë për A2 CNN avokatja Rezarta Agolli.
Në vend, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, 1 në 4 çifte ndahen. Për juristët, kjo shifër do të ishte edhe më e lartë nëse gjykatat në vend do të përpunonin më shpejt dosjet. “Ato zgjasin shumë në kohë. Një divorc tashmë ka shkuar në 5 vjet”, thotë Agolli.
Dhuna në familje dhe emigracioni janë shkaqet kryesore që po shtyjnë çiftet shqiptare që të ndahen. “Ka arsye të tjera që lidhet me abuzimet me alkoolin apo drogat”, thotë Ines Leskaj, aktiviste dhe sociologe. “Janë persona të cilët kanë varësi ndaj lojërave të fatit”.
Ndarjet kanë shumë efekte negative. Ndër to është edhe nevoja për të mbështetur në disa forma gratë apo nënat e divorcuara. “Në radhë të parë kanë nevojë ekstreme ato vajza dhe gra të cilat kanë kërkuar divorcin për shkak të dhunës në familje dhe gjendet në kushte të papërballimit të jetesës së përditshme”, thotë Leskaj.
Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka normën më të lartë të divorceve se çdo vend tjetër i rajonit, me 1,5 ndaje për 1 mijë banorë. Kosova e ka këtë tregues në nivelin më të ulët, me 0,5 divorce për 1 mijë banorë.