“Minjtë e shkretëtirës”, pjesë e trupave elitë të Britanisë së Madhe, të cilët e fituan pseudonimin e tyre gjatë luftimeve me nazistët në Afrikën e Veriut, janë nisur drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në stërvitjen ku do të angazhohen mbi 90.000 ushtarë të NATO-s.
Pothuajse 600 automjete të blinduara dhe armë të tjera artilerie u paketuan në anijet e ankoruara në doket ushtarake të Marchwood pranë Southampton dhe do t’i bashkohen stërvitjes “Steadfast Defender”, gjatë së cilës do të simulohet ndalimi i një pushtimi të mundshëm rus.
Stërvitja pesëmujore e NATO-s është stërvitja më e madhe në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe është ideuar për t’u përgatitur për Luftën e III Botërore, me kundërshtare kryesore Rusinë e Vladimir Putin.
Rreth 1500 trupa nga Brigada e 7-të do të fluturojnë drejt Gjermanisë nga Britania për të pritur automjetet ushtarake, përpara se të udhëtojnë për në Poloni, ku do të përgatiten për një skenar lufte gjithëpërfshirës.
Në total, rreth 16.000 forca të armatosura britanike do të marrin pjesë në stërvitjet “Steadfast Defender”, ku do të angazhohen avionët e RAF, disa anije luftarake dhe nëndetëse të Marinës Mbretërore.
Shfaqja e forcës pason pretendimet e shumëkontestuara të Donald Trump, i cili tha se do të inkurajojë Moskën për të sulmuar aleatët e NATO-s që nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen kolektive.
Në rast lufte me Rusinë, portet si Southampton mund të jenë në shënjestër. Baz Slator, ndihmës përgjegjës kryesor në Qendrën e Montimit të Detit në Marchwood, tha: “Ne mund të punojmë brenda dhe rreth zjarreve të armikut, në një port të kontestuar ose në një plazh. Ne e bëmë këtë në Irak. E bëmë në Falklands dhe po stërvitemi për ta bërë çdo vit. Është rutinë për ne.”