Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të mbyllen të gjitha kafiteritë, restorantet, qendrat tregtare e vendet e tjera ku krijohen turma të mëdha njerëzish. Këto masa shteti po i ndërmerr për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19, i cili deri më tani ka prekur 31 kosovarë dhe ka marrë jetën e njërit prej tyre.
Por, më të pabindur ndaj urdhërit të qeverisë po del se janë pronarët e lokaleve të cilët po iu shërbejnë klientëve ani pse kjo tashmë është e ndaluar, shkruan Gazeta Express
Pronarët e disa kafiterive dhe restoranteve nëpër tërë vendin, duket se nuk po e marrin fort seriozisht vendimin e qeverisë për të qëndruar në shtëpi dhe për t’i mbyllur përkohësisht bizneset e tyre.
Pothuajse në secilin qytet të Kosovës, policisë po i del punë me pronarë të lokaleve të cilët po tentojnë të punojnë dhe nuk po e zbatojnë vendimin për t’i mbajtur të mbyllura lokalet e tyre.
E policisë së Gjilanit të premten i është dashur të përballet edhe me disa besimtarë myslimanë.
Rasti ka ndodhur mesditën e së premtes në lagjën “Arbëria” në Gjilan, ku policia ka arrestuar tre persona të cilët kishin organizuar faljen e namazit në një shtëpi.
Ndërkaq pas intervistimit ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Por jo vetëm pronarët e lokaleve nuk po e respektojnë vendimin e qeverisë. Edhe taksistët po kapen duke punuar derisa urdhëri për të qëndruar në shtëpi vlen edhe për ta.
Inspektorët e Komunës së Vushtrrisë të shtunën kanë hasur në një person i cili ishte duke punuar si taxi ilegalisht, me furgonin e tij.
Madje, në momentin kur personat zyrtar e kishin urdhëruar të ndalojë, ai i ka sulmuar dhe ka goditur njërin prej tyre, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Telashe Policia e Kosovës po ka edhe me pronarët e pompave të derivateve, të cilët po i hapin kafiteritë brenda objekteve dhe po iu shërbejnë klientëve brenda.
Të gjitha rastet ku qytetarët nuk po respektojnë vendimin e qeverisë, nga Policia e Kosovës po cilësohen si “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
E për pesë ditë, policia ka arrestuar mbi 30 persona të cilët nuk i kanë përfillur vendimet e shtetit.
Ndërkohë, vetëm në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka evidentuar 15 raste për “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” në të gjithë vendin, ose pronarë biznesesh të cilët nuk e kanë respektuar urdhrin e qeverisë për mbylljen të lokaleve, sipas vendimit të Qeverisë.
Në të gjitha këto raste ka pasur edhe të arrestuar, ku disa prej tyre janë dërguar në mbajtje.
Por, policisë nuk i doli punë vetëm me pronarë të lokaleve gjatë javës që lamë pas. Edhe qytetarët të cilët dolën për të shëtitur nëpër parqe, detyruan policinë të ndërhyjë.
Në Gjakovë, Prishtinë, Pejë e vende tjera, qytetarët dolën nëpër parqe në mënyrë të organizuar dhe duke rëndë ndesh me vendimet e qeverisë për të qëndruar në shtëpi.
Për shkak të mosrespektimit të vendimit nga ana e qytetarëve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të dielën ka marrë vendimin që në të gjitha parqet e kryeqytetit të vendosen shenja të cilat ndalojnë hyrjen.
Ndërkohë as qeveria nuk ka qëndruar duarkryq lidhur me mosrespektimin e vendimit nga qytetarët. Në masat e reja të ndërmarra nga shteti, është ndaluar frekuentimi i parqeve nga ora 08:00 deri në 20:00.
Po ashtu, është ndaluar hapja e kafiterive të cilat më herët ishin lejuar të shërbejnë kafe të cilat qytetarët mund t’i merrnin me vete, apo siç njihet ndryshe “take aëay”, por për shkak të keqpërdorimit, u ndalua edhe kjo mundësi.
Virusi Covid-19, deri më tani ka prekur 35 persona në Kosovë. Ndërkohë një prej personave që ishte infektuar me këtë virus, ka vdekur javën që shkoi.