Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani, u ka dhënë përgjigje deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se kinse kjo parti po i punon pas shpine Vetëvendosjes.
“Jo rastësisht Aleksandar Vuçiq ishte ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bën më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vuçiqit”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Sipas Vuçiqit, që foli për mediat serbe, skenari i votave të helmuara që erdhën në Kosovë, u mendua të jetë kundër Albin Kurtit, e të fuqizohej Vjosa Osmani.
Këtë, Vuçiqi e ka quajtur lojë të brendshme brenda këtij koalicioni paszgjedhor.
Sipas presidentit serb, raportimet në Kosovë për helmim votash nuk i kishin shënjestër serbët, por të ndryshohej përbërja në parlament, e kështu të fitonte më shumë partia nga vjen Osmani sesa ajo e Kurtit.
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se kjo parti e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin.
“LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vuçiqit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vuçiq dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë”, u shpreh Osmani.