Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) prej vitesh ka epitetin e institucionit më të besueshëm në vend, por pjesëtarët e saj kanë filluar ta humbin besimin në këtë institucion.
Lëkundja e besimit në ushtri ka bërë që shumë ushtarë të demobilizohen dhe ta braktisin punën ku kishin shërbyer për më shumë se një dekadë.
Arsyet e këtyre largimeve janë padrejtësitë që po iu bëhen në trajnime dhe gradime.
Ushtari i fundit që është larguar nga kjo forcë është Edon Morina, tetar specialist.
Në kërkesën e tij për demobilizim, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, Morina përmend në detaje arsyet që e kanë shtyrë ta braktisë punën me uniformë.
“Unë tetar specialist, Edon Morina, bëjë kërkesë për demobilizim nga FSK, pas 12 viteve shërbim. Arsyeja e kërkesës janë padrejtësitë e vazhdueshme në të gjitha sferat ndaj pjesëtarëve, duke me përfshirë mua: si në gradim, në trajtime jashtë dhe brenda vendit, mos lejim të marrë pjesë në gara brenda FSK-së dhe jashtë deri në këtë vit”, ka shkruar Morina në kërkesën për demobilizim, të cilën ia ka drejtuar ministrisë.
Ai ka bërë me dije se për këtë padrejtësi është ankuar, por askush nuk është marrë me shqetësimin e tij. “Ankesat tona gjithmonë janë asgjësuar, si ato me gojë edhe ato me shkrim, gjatë viteve. Nuk na kanë lejuar as me i protokolu ankesat për të qenë valide. Nëse i kemi dërgu më lartë jemi kërcënuar nga zinxhiri komandues, duke e keqinterpretuar rregulloren dhe duke jep dënimin, sepse e kanë ditur se nuk kemi ku ankohemi, përveç në gjykatë, e cila do të merrte vite dhe karriera do të humbte”, ka shkruar Morina në kërkesën e tij, duke shtuar se ndaj atyre që kanë bërë ankesa janë marrë masa.
“Pjesëtari që ka arritur të bëjë ankesë të protokolluar, tash e më shumë se një vit i është dhënë transfer në Istog, larg banimit të tij. Kështu është dërguar mesazhi të pjesëtaret e tjetër, të cilët tentojnë të shkruajnë ankesa valide. Gjithmonë ka të drejtë grada me e lartë, ‘komadantët’ dhe kurrë ai me poshtë, sidomos ushtari edhe nëse ka të drejtë”, ka vazhduar Morina kërkesën e tij.
Ndër të tjera, ai ka treguar se ndaj pjesëtarëve që po largohen nga FSK-ja po bëhen edhe etiketime të ndryshme. “Do të këtë komandantë që do të dalin në medie dhe do të tentojnë të njollosin pjesëtaret që lëshojnë institucionin, duke thënë se janë djem të shpijunave, janë problema dhe kanë bërë shkelje. Mirëpo, nuk brengosem për këtë, sepse ekzistojnë njerëz që na njohin dhe e dinë kush jemi dhe arsyet pse jemi larguar, duke dëshmuar edhe ky dokument”, është thënë kërkesë.
Javën e kaluar edhe ish-pjesëtari i FSK-së, Sali Arifaj, ka treguar se ka lënë punën në FSK, pas 13 viteve shërbim.
Arsyet e largimit të tij nuk ndryshojnë shumë nga ato të Edon Morinës.
“Gjatë këtyre 13 viteve përpos që nuk kishim një pagë të dinjitetshme e as privilegje, prapë bëra më të mirën që mund të bëhej, dhe gjatë gjithë kohës kam bërë shërbim vetëmohues, duke mos u lëkundur, përkundër padrejtësive të vazhdueshme që bëheshin ndaj meje dhe një pjesë të kolegëve tjerë, padrejtësi këto të bëra nga vet sistemi dhe eprorët tanë”, ka shkruar Arifaj në kërkesën e tij për demobilizim.
Me tej, ai përmend padrejtësitë që iu kanë bërë gjatë shërbimit nga eprorët e tij.
Arifaj ka treguar se ata vazhdimisht e kanë diskriminuar në trajnimet që janë bërë brenda dhe jashtë vendit.
“Këta ‘komandant’ asnjëherë nuk më propozuan që të kryej trajnime për avancim, ndërsa dërgoheshin gjeneratat tjera, qoftë edhe të vitit 2015, kurse neve në anën tjetër na mohohej edhe e drejta ligjore për shfrytëzimin e ditëve të lira, vetëm e vetëm nga teket e eprorëve”, ka shkruar Arifaj në kërkesën e tij.
Ai ka kritikuar eprorët e tij për mos profesionalizëm dhe mos punë. “Këta njerëz të cilët e quanin vetën komandantë, të cilët jo rrallë herë akuzonin se kemi zënë vendin e shokëve të tyre apo edhe të afërmeve të tyre, disa nga këta ishin më të vjetër se unë, e disa më të rinj, por një të përbashkët kishin se merrnin paga nga 600 deri 1200 euro në muaj, dhe tërë ditën qëndronin në zyre duke shikuar filma dhe duke pirë çaj rusi, e në anën tjetër, ne gradat e ulëta në fillim paguheshim vetëm 249 euro në muaj, dhe pas vitit 2013, ushtari sot paguhet 382 euro”, ka shkruar Arifaj.
Të pakënaqur edhe shumë ushtarë
Numri i atyre që janë të pakënaqur me trajtimin që ju bëhet brenda FSK-së është i madh.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me disa ushtarë aktiv që kanë folur për këto padrejtësi.
Për shkak të frikës se ndaj tyre mund të merren masa, ata kanë pranuar të flasin vetëm në kushte anonimiteti.
Njëri nga ushtarët që i është bërë padrejtësi në gradime ka thënë për gazetën Nacionale se në ushtri privilegjohen dhe avancohen vetëm ata që kanë lidhje eprorët. “Padrejtësitë brenda FSK-së janë të madhe. Ato me të theksuara janë në trajnime dhe gradime. Vazhdimisht këtu diskriminohen pjesëtarët që më shumë se një dekadë shërbejnë në ushtri dhe privilegjohen ata të rinjtë. Privilegjohen edhe gradohen ata që kanë raporte të mira me eprorët”, ka thënë ushtari aktiv i FSK-së, duke kërkuar nga gazeta që të mos i përmendet emri.
Ai ka treguar se ka edhe ushtarë tjerë që ndajnë shqetësime të njëjta, por që nuk mund të deklarohen.
Edon Morina, kërkesën e të cilit e ka siguruar gazeta, ka treguar se numri i atyre që e kanë lënë FSK-në është shumë më i madh se ai që tregohet zyrtarisht.
“Vetëm në Mitrovicë unë me emër dhe mbiemër njoh 32 persona, mos të flas për njësinë RMC-KSh, ose në kazermën Adem Jashari. Shpresoj shumë që ministri, i cili është në pozitë do ta këtë parasysh këtë gjendje te mjerueshme psikike të pjesëtarëve që ua shkaktojnë padrejtësitë nga disa komandat, pasi që pjesëtaret janë të varur nga një pagë shumë e dobët që nuk ia vlen as të diskutohet për një ushtar”, ka shkrua ai në letrën për demobilizim.
Ankesat nuk merren parasysh
Ish-ushtarët dhe ushtarët kanë kërkuar që institucioni të merret seriozisht me ankesat e ushtarëve.
Ata kanë treguar se çdo ankesë e tyre refuzohet në mënyrë të njëjtë.
“E keqja dhe padrejtësia duhet te shuhen për hire te brezave të ardhshëm, pavarësisht pasojave dhe sakrificave. Boll kemi duruar. Duhet të merret dikush me këto padrejtësi”, ka thënë ushtari, i cili ka folur për gazetën në kushte anonimiteti.
Edhe dy ish-ushtarët Edon Morina, dhe Sali Arifaj në kërkesat e tyre të demobilizimit kanë kërkuar që Ministria e Mbrojtjes të merret me këto padrejtësi.
Gazeta ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes sqarime për këto pakënaqësi, por kjo e fundit nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Derisa shtohet pakënaqësitë e ushtarëve, Forca e Sigurisë së Kosovës tani është në proces të rekrutimit të rreth 800 pjesëtarëve të rinj.
Në fillim të vitit, Ministria e Mbrojtjes kishte treguar se vetëm gjatë vitit 2021 nga FSK-ja janë larguar mbi 50 pjesëtarë.