“Një shkrimtar thoshte se ‘Jezu Krishti është në agoni deri në fundin e botës’, është në agoni në bijtë, në vëllezërit e vet, sidomos në të varfrit, në të mënjanuarit, në njerëzit e shkretë, që nuk mund të mbrohen”. Kështu flet Papa Françesku, në intervistën e realizuar nga Lorena Bianchetti, prezantuese e emisionit “A Sua Immagine” (Në shëmbëllim me Të), që u transmetua sot, në të Premten e Madhe të Pashkëve, në orën 14.00, nga televizioni italian RAI UNO. Intervista, e koordinuar nga don Marco Pozza, është e para e Atit të Shenjtë, që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase. Orari i transmetimit u zgjodh enkas pranë orës 15.00, e cila, sipas traditës, është çasti i vdekjes së Jezusit. Pikërisht ditën, kur Kisha kujton Mundimet e Krishtit, Papa reflektoi mbi vuajtjet e shumta të njerëzimit në ditët e sotme. E nënvizoi se para vuajtjes, edhe ai vetë e detyron veten të mos flasë, të heshtë e t’i kërkojë Zotit hirin për të qarë bashkë me të vuajturit.
Lufta është përbindësh
“Në këtë çast, në Evropë, na bën shumë përshtypje kjo luftë – kujtoi Ati i Shenjtë konfliktin në Ukrainë. – Por le të shohim pak më larg. Bota është në luftë. Kudo ka luftë. Sepse bota ka zgjedhur – është e rëndë të thuhet – por ka zgjedhur skemën e Kainit e luftë do të thotë të vësh në jetë kainizmin, pra, ta vrasësh vëllanë”. Bota nuk ka më skema paqeje, ngriti zërin Bergoglio. Ia kemi harruar gjuhën.
Intervista e Papës u përqendrua kryesisht në konfliktin në vijim, por Ati i Shenjtë përshkoi rrugët e dhimbjes së shumë njerëzve në botë, jo vetëm në Ukrainë. Përmendi Sirinë, Jemenin, Rohingjat pa atdhe, genocidin në Ruandë para 25 vitesh, pasojat e të cilit ende ndihen. E krerët e botës ende vazhdojnë të blejnë armë, duke ndjekur skemën e Kainit, të luftës – përbindësh.
Nuk flitet me djallin
Është veprimi i djallit mbi këtë botë. E me djallin nuk hyhet në dialog, nënvizoi Françesku, pasi ai është “e keqja absolute”. Prej tij na shpëton vetëm Zoti, vulën e të cilit e mbajmë të gjithë në shpirt, edhe Kainët e sotëm. Duhet vetëm të vendosin për të mos ecur në rrugën e dhunës, në rrugën e mëkatit, në rrugën e shfrytëzimit të të tjerëve. Edhe këto janë luftë! Ashtu siç thoshte Dostojevskij: “Beteja ndërmjet Zotit e djallit zhvillohet për zemrën e njeriut”.
Forca e grave
Një pamje nga Ukraina, ku dukej një grua shtatzanë, që transportohej me barelë për në spital, i dha mundësinë Papës të reflektojë mbi rolin e grave. Gratë janë forcë, luftojnë për jetën, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili denoncoi edhe shfrytëzimin e dhunën kundër tyre. Edhe nën kryq, vërejti, gratë janë të vetmet që nuk ikin, pasi e kishin ndjekur Jezu Krishtin gjithmonë. Edhe në Udhën e Kryqit, Jezusi ndalet para një grupi grash. “Ato – vuri në dukje Papa – kanë aftësinë për të derdhur lot”. E përmendi edhe gruan e Pilatit, e cila i kërkoi të shoqit të mos përzihej në çështjen e Jezusit, por ai nuk e dëgjoi. “Na duhen gra, që japin alarmin”, theksoi Françesku.
Tematikat e tjera të intervistës
Papa preku më pas temën e migrantëve e të refugjatëve, jo vetëm të atyre të luftës. I ndajmë në kategori, denoncoi, sipas ngjyrës së lëkurës, në klasë të parë, në klasë të dytë… “Jemi racistë”. E kjo është shumë e shëmtuar”. Edhe Jezu Krishti ka qenë migrant në Egjipt, për t’i shpëtuar vdekjes, kujtoi Ati i Shenjtë.
Pastaj, heshtja e sheshit bosh, në lutjen e jashtëzakonshme të 27 marsit 2020, për të cilën Papa tha se nuk e dinte që do të ishte vetëm në Shën Pjetër. Mesazh i Zotit për ta kuptuar vetminë, komentoi: vetminë e të moshuarve, vetminë e të rinjve, që i braktisim. E, secili ka vetmitë e veta. Edhe unë, pranoi Papa, por më ndihmon Zoti, që më çon gjithnjë dikë. Ati i Shenjtë preku të këqiat e Kishës, për të cilën duhet të lutemi shumë; u kërkoi besimtarëve ta lejojnë Jezu Krishtin t’u flasë, të mësojnë të falin e të kërkojnë falje; i nxiti njerëzit, që kanë humbur punën, për shkak të Covid-19, të mbështeten mbi Krishtin, shpresën që nuk zhgënjen, pavarësisht se “të bën të presësh” e nuk të lejon të rrish duarkryq.
Urimet e Papës për Pashkë
Intervista përfundoi me urimin e Papës Françesku për Pashkë. “Urimi im është të mos e humbasim shpresën”. “Shpresa e vërtetë, që nuk zhgënjen, është të kërkosh hirin e lotëve, të lotëve të gëzimit, lotëve të ngushëllimit, lotëve të shpresës”. “T’i kërkojmë Shën Pjetrit të na mësojë të qajmë, siç bëri ai”. E pastaj, heshtja e së Premtes së Madhe. Ishte pothuajse tre pasdite. Si duhet ta jetojmë këtë orë, pyeti Lorena Bianchetti? Pyetja mbeti pezull e Papa, për disa sekonda, heshti. Fjalitë e fundit u bashkuan me përqafimin. A mund t’ju përqafoj – pyet gazetarja Lorena Bianchetti – në emër të të gjithëve? “Faleminderit. Zoti të bekoftë!” – përgjigjet më në fund Françesku.