Kryeministri britanik, Boris Johnson, paralajmëroi se kriza Rusi-Ukrainë është në momentin më të rrezikshëm, dhe se lufta do të ishte një katastrofë absolute. Pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, Jens Stoltenberg, numri një i Downing Street tha se kishte ardhur koha për të zbutur tensionet.
“Ky është ndoshta momenti më i rrezikshëm në atë që po rezulton si kriza më e madhe e sigurisë me të cilën Europa është përballur në dekada. Duhet të refuzojmë kategorikisht një rikthim në kohën kur fati i kombeve vendosej nga disa fuqi të mëdha”.
Johnson, shtoi më tej se të dhënat e inteligjencës për një pushtim të mundshëm, mbeten të zymta. Stoltenberg tha se është i përgatitur të dëgjojë shqetësimet e Rusisë, por paralajmëroi gjithashtu se ky është një moment i rrezikshëm për sigurinë europiane.
“Numri i trupave ruse po rritet. Koha e paralajmërimit për një sulm të mundshëm po ngushtohet. NATO nuk është një kërcënim për Rusinë, por duhet të përgatitemi për më të keqen, ndërsa mbetemi thellësisht të përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje politike”.
Kryeministri Johnson vizitoi më pas Poloninë, si pjesë e përpjekjeve të ethshme diplomatike për të shmangur luftën, ndërsa Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në kufi.
Duke folur në krah të kryeministrit polak Mateuz Moraviecki, Johnson rikonfirmoi mbështetjen britanike ndaj aleatëve europianë dhe tha se 350 trupa të tjerë britanikë kishin zbarkuar në Poloni, këtë mëngjes, për të fuqizuar mbrojtjen në kahun lindor.