“Brenda gjashtë muajve ose Prigozhin do të vdesë ose do të ketë një grusht shteti të dytë kundër Putinit”.
Ky ishte parashikimi që tërhoqi vëmendjen pasi u shqiptua nga Christo Grozev, kreu i hetimeve për Rusinë i Bellingcat, faqja ndërkombëtare e investigimeve gazetareske dhe autor i shumë lajmeve mbi komplotet dhe atentatet e organizuara nga Kremlini.
Të gjithë personat në bord humbën jetën sipas shërbimit për shtyp të Ministrisë ruse të Emergjencave. Avioni ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg. Ai mbante 7 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.
Në aeroplanin që u rrëzua në Moskë ku mediat raportojnë se ka vdekur kreu i mercenarëve, po udhëtonte edhe krahu i djathtë i Wagner si dhe udhëheqësi ushtarak Dimitri Utkin.
Prigozhin, u dërgua në Bjellorusi pas marshimit të tij në Moskë. Ai e anuloi kryengritjen dhe mercenarët e tij u tërhoqën pasi udhëheqësi bjellorus Aleksandër Lukashenko ndihmoi ndërmjetësimin e një “marrëveshjeje”.
Dikur një i besuar i ngushtë i Vladimir Putinit, Prigozhin kishte kritikuar shpesh ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe gjeneralin e lartë Valery Gerasimov në fjalimet publike për formën si po e trajtonin pushtimin e Ukrainës.