Parlamenti Evropian do të hapë në Shqipëri zyrë për Ballkanin Perëndimor

Parlamenti Evropian (PE) do të hapë një zyrë në Shqipëri, që pritet të ndërveprojë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në lidhje me vendimin që është konfirmuar nga Parlamenti Evropian, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në komunikimin e tij në rrjetet sociale rreth pyetjeve të adresuara nga qytetarët, tha se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Është në krenarinë dhe kënaqësinë tonë të madhe që të bëhemi edhe vend mikpritës i zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë, e cila do të shërbejë si një pikë kyç kontakti mes Parlamentit Evropian dhe parlamenteve kombëtare, shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve lokalë në gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.

Rama u shpreh se me hapjen e kësaj zyre në Shqipëri, Parlamenti Evropian konfirmon një strategji më të gjerë të Bashkimit Evropian (BE) dhe nga ana tjetër sipas tij përcakton Shqipërinë si një pikë referimi jashtë perimetrit të BE-së dhe si vendi që së shpejti do të jetë anëtar i BE-së.

Sipas një deklarate të publikuar nga Parlamenti Evropian, zyra në Shqipëri do të hapet për ta forcuar më tej angazhimin e PE-së me Ballkanin Perëndimor.