Pas dy refuzimeve, Gjykata detyron komunën t’i japë pasaportën zvicerane kosovares

Artina Ahmetit i janë dashur pesë vjet para se të guxonte të aplikonte për natyralizim për herë të dytë. Ajo ishte refuzuar herën e parë. Familja e saj nuk ishte e integruar sa duhet, sipas letrës së dërguar nga autoritetet.

Dhe kjo do të thoshte: ajo duhet tu hynte sërish librave, për të mësuar gjëra si: Sa anëtarë ka Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës? Sa këshilltarë kantonalë ka në St. Gallen? Një pyetje ishte gjithashtu, nëse ajo e di kuptimin e numrit 1414 të telefonit.

Ahmeti mendon se ajo dinte tashmë mjaft, për provimin e dytë. Por pastaj erdhën pyetjet personale. Dhe ato, siç shprehet Artina për “Rundschau” (SRf), ishin të padrejta.

Pyetje për martesën me detyrim

“Kryetari i komunës, z. Huber më pyeti se çfarë do të bëja nëse babai im do të sillte në shtëpi një burrë me të cilin duhej të martohesha”, thotë e reja, transmeton albinfo.ch. “Unë u përgjigja se do të refuzoja të martohesha me të. Rolf Huber mpyeti më tutje: “A do të ishit vërtet kaq arrogante (këtu, në kuptimin: e vendosur) sa të refuzonit kërkesën e babait ?”

Pas kësaj Artina thotë se ishte shumë e dëshpëruar. Ajo tashmë po nuhaste atë që do të pasonte më vonë: refuzimin e dytë nga komuna e Oberriet. “Vullneti i saj për t’u integruar ende nuk është qartë i identifikueshëm”.

Artina Ahmeti ka apeluar vendimi dhe ka marrë avokat. Ish-anëtari prominent i PS-së, deputet shumëvjeçar në Dhomën e Kantoneve, Paul Rechsteiner e ka ndihmuar kosovaren për të fituar të drejtën e synuar.

Tani ajo është një shtetase zvicerane. Gjykata Administrative e kantonit kishte detyruar komunën që ta natyralizonte kosovaren e re.

Avokati Rechsteiner me këtë rast thotë: “Komuna Oberriet është një rast flagrant, përcjell albinfo.ch. Ajo u sinjalizon njerëzve (të huajve) që në fillim: Ne nuk ju duam”.

Kryebashkiaku hedh poshtë akuzat

Nga ana tjetër, kryebashkiaku i etiketuar, Rolf Huber hedh poshtë akuzat. “Natyralizimi në kantonin St. Gallen është një opsion, jo një domosdoshmëri”, thotë ai. “Nëse autoriteti më i lartë e sheh ndryshe, ju lutem!” Nuk është qëllimi i komunës që të diskriminojë të huajt në procesin e natyralizimit”, shton ai.

Huber thotë se këshilli i natyralizimit tnë komunën e tij vepron në mënyrë faktike dhe objektive, transmeton albinfo.ch. Por, i pyetur nga gazetari i “Rundschau” nëse ishte faktike të pyesësh për djathrat zvicerane dhe, kur aplikantja thotë se njeh vetëm një lloj, të shënoni në notes se asaj nuk i pëlqente djathi, Huber tha: “Po zgjidhni pyetje të izoluara për të na bërë që të dukemi keq”. Shumë natyralizime, sipas tij, kanë rrjedhur pa probleme transmeton albinfo.ch.