Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paraprakisht, ata u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas orës 17:00 pritet një takim i përbashkët mes tyre.
Deri më tash nuk ka ndonjë deklarim për mediat.
Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.
Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022, dhe nuk ka më nevojë të flitet për këtë përmbajtje.
Rashiti: BE-ja të mos hezitojë, Kosova dhe Serbia kanë thënë ‘po’
Një version të përditësuar të planit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.
Po ashtu, bazuar në përvojën e së kaluarës, zyrtarët e BE-së mendojnë se, nëse do të ketë kërkesë për ndryshim të tekstit, atëherë gjithçka do të duhet të nisë nga fillimi dhe mundësitë për sukses janë të vogla.
Një zyrtar i lartë i BE-së, ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, nuk e kanë të lehtë të arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e marrëveshjes, por nuk kanë pasur zgjidhje më të mirë.
Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti që me këtë marrëveshje, sipas interpretimeve të BE-së, Serbia de facto e njeh Kosovën.
Presidenti serb besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë këtë propozim.