Nga Liridon Zeqiri
Për Kryeministrin Avdullah Hoti fillimshtatori do të jetë i ngjeshur.
Në itinerar janë takimet në Shtëpinë e Bardhë me palën nga Serbia më 2 shtator dhe pesë ditë pas në Bruksel.
Ftesat nga SHBA-ja dhe BE-ja janë që të bëhet dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve.
Por se pyetja që kërkon përgjigje tash është: A do të ketë marrëveshje finale të arritur në këtë fazë pas njoftimit të këtyre ditëve të Presidenti Donald Trump për ujdinë e arritur në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe?
“Personalisht do të kisha dëshirë të kemi një kumt të tillë edhe më 2 shtator. Por nuk besoj se gjërat kanë arritur deri aty sa të shpallet “kumti”. Po të kishte ndodhur takimi i 27 qershorit, mbase do të mund të ndodhte një marrëveshje eventuale” është përgjigjur për klankosova.tv publicist Bajrush Morina i cili aktualisht jeton në SHBA.
“Marrëveshjes Kosovë-Serbi jo që i ka ardhur koha por i ka “ikur koha”. U bë “bajat” më kjo punë, herë në pranverë, herë në vjeshtë! Janë bërë 20 vjet prej se kanë pushuar armët mes Kosovës e Serbisë dhe ende nuk ka një marrëveshje në tavolinë. Sikur po bëhet “luftë” kush po fiton e kush po humb më shumë! Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të shihet si një fitore apo humbje e njërës apo tjetrës palë: Marrëveshja duhet të shihet dhe të trajtohet si “de jure” përfundim i konfliktit dhe fillim i paqes relative mes dy shteteve dhe popujve që ishin në konflikt, këtu e 20 vjet më parë”.
Lidhur me epilogun e marrëveshjes Kosovë-Serbi, sipas Morinës ka një garë të pashpallur mes BE-së dhe SHBA-së.
“Por kjo duhet parë si diçka pozitive dhe favorizuese për Kosovën. Pra ne si vend vazhdojmë të kemi interesimin e Brukselit dhe Uashingtonit. Por këtu ka një dallim: Brukseli është për bisedime, bisedime, bisedime, ndërkaq Uashingtoni është për marrëveshje!”.
Por sipas tij garë nuk ka brenda Shtëpisë së Bardhë se “kush është më i forti”.
“Në Shtëpinë e Bardhë ka një “Zot shtëpie” dhe “dy mysafirë” të hidhëruar mes vete. I Zoti i Shtëpisë së Bardhë, që “de facto” është i Zoti i Shtëpisë më të Madhe të quajtur, rruzull tokësor, “ma i madhi i krejt botës” ka marrë përsipër t’i pajtojë dy vende dhe dy popuj”.
“Në këtë kuadër nuk duhet parë se cili delegacion është “ma i fortë” e cili “ma i ligë”. Vuçiq e Hoti nuk do të bëjnë sportin e mundjes në Shtëpinë e Bardhë. Ata do të lexojnë, korrektojnë dhe do të nënshkruajnë marrëveshje në të mirë të dy vendeve dhe dy popujve. Në ndërkohë ata do të kanë rastin mbase edhe të shfletojnë ndonjë faqe të një Marrëveshje të madhe eventuale mes Kosovës e Serbisë”.
“Në Shtëpinë e Bardhë nuk hartohen e as nuk nënshkruhen marrëveshje të këqija. Nuk janë nënshkruar asnjëherë dhe jo vetëm në rastin e Kosovës”.
Sipas Morinës në takimin e Uashingtonit megjithatë Kosova ka një përparësi.
“Shtëpia e Bardhë, Uashingtoni dhe Amerika përherë kanë qenë aleatë të Kosovës. Serbia është “e bija” e ledhatuar e Rusisë. Prandaj ne duhet të shfrytëzojmë këtë rast dhe të “vetëdijesohemi” si shteti e si popull se, siç rendit ai:
E para: Marrëveshja eventuale do të nënshkruhet në Uashington e jo në Moskë,
E dyta: Kosova e Pavarur është projekt amerikan, jo vullnet politik i Rusisë,
E treta: Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka gërshërë, harta e gjak! Shtëpia e Bardhë, Uashingtoni dhe Presidenti amerikan , Ëoodroë Ëilson ne Konferencën e Paqes në Versajë më 1919 ka mbrojtur kufijtë e Shqipërisë kur Perandoritë e Mëdha evropiane donin ta copëtonin Shqipërinë!
E katërta: Kosova nuk ia ka humbur as nuk ia ka fituar zgjedhjet asnjë presidenti amerikan prandaj janë qesharake “teoritë konsiparative” të do farë fallxhinjve të lagjeve të Prishtinës se gjoja Trump do gjithsesi një Marrëveshje (të keqe!!!) para 3 nëntorit sepse do që t’i fitojë përsëri zgjedhjet në Amerikë!
E pesta: Më duhet të bëhem paksa “folkorist” dhe të rikujtoj vargjet e një parodie të kamotshme shqiptare: Kosovë, mbahu mos ke frikë, nga Marrëveshja në Amerikë”.
Për analistin politik, Petrit Zogaj, këtë herë në Uashington mund të ketë lëvizje drejt marrëveshjes finale pasuar nga ajo Izrael-Emirate Arabe.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që Shtëpia e Bardhë të përpiqet që të realizojë disa marrëveshje të tilla historike dhe të thotë që kemi një progres në politikën e jashtme, por po ashtu nuk besoj që ajo e do këtë me çdo kusht dhe patjetër. Pra, palët edhe përkundër që do të jenë në këtë takim, patjetër që kanë fjalën e tyre në lidhje me çfarëdolloj marrëveshje”.
Sipas tij garë në procesin e dialogut nuk po bëjnë vetëm SHBA-ja dhe BE.
“Ka një garë “takimesh” në mes BE-së dhe SHBA-së, por thënë të drejtën ka një garë edhe më mes shteteve anëtare të BE-së. Rikujtojmë “Samitin e Parisit,” dhe kuptohet se “gara e takimeve” është goxha më e komplikuar sesa tentojmë ta shohim. Përkundër deklarimeve publike, BE dhe SHBA nuk janë në vija të njëjta në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, sikundër që vet shtetet anëtare të BE-së kanë mendime e vizione të ndryshme se si të gjendet një marrëveshje që i kënaqë të gjitha palët. Kjo qasje ka bërë që dialogu të mos shihet me një optikë pozitive, sado që ka vullnet të gjendet një marrëveshje”.
“Ka një dilemë të madhe mbi afatet, mbi parimet dhe mbi çështjet që do të ngritën në dialog. Mbi afatet, ka një hezitim për faktin që SHBA është me vit zgjedhor dhe se një “photo up” akord mund të shihet problematik. Në anën tjetër, në BE ka probleme tjera të parimeve. Të zëmë, disa vende të BE-së, ndoshta nuk e kanë problem që në mes Kosovës e Serbisë të diskutohet edhe çështja e territorit, e në disa kjo çështje është problematike. E në këtë situatë, BE ka ngelur në vazhdimin e një “dialogu teknik” të pafund në mes nesh e Serbisë”.
Zogaj thotë se përpos që është garë në kuptimin se kush po merr primat, është po ashtu e paqartë në kuptimin e qëllimit final.
“SHBA e ka mbështetur dialogun në Bruksel, diçka që BE nuk e kemi parë të ketë bërë hapur një mbështetje të tillë për iniciativën e Uashingtonit. Pra, shihet një tension në mes SHBA dhe BE dhe nuk përjashtohet një injorim në këtë mes. Mirëpo, liderët politikë të Kosovës, do të duhej të ishin shumë të kujdesshëm në këtë kuptim, e të mos përfshihen në “luftën” që kanë SHBA dhe BE për çështje të tjera, e të pësojmë në këtë lojë politike të tyre”.
Sa për afatet e përmendura deri tash se “marrëveshje do të ketë këtë pranverë” apo si “në fund të vitit”, Zogaj thekson se kjo shpërfaq naivitetin e liderëve të Kosovës.
“Serbia si duket, nuk ka qëllime që të arrijë një marrëveshje finale me Kosovën. Mirëpo, ajo do të bëjë çmos që të thotë se Kosova është fajtore që ne nuk po arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Përmendja e afateve për një marrëveshje të tille, ka qenë një entuziazëm naiv i liderëve të Kosovës, duke e dhënë gjithë energjinë në atë drejtim, e duke lënë anash shtetndërtimin brenda dhe zhvillimin ekonomik. Tash, as nuk kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse, e as shtet të qëndrueshme dhe ekonomi të forte”.
“Prej vitit 2011, kur dhe ka filluar dialogu “teknik e politik” me Serbinë, pozicioni negociues i Kosovës ka qenë skajshmërisht i dobët. Logjika e negociatorëve të Kosovës, përfshirë dhe Hashim Thaçin kryeministër e tash president, ka qenë kjo e varur kryesisht në idenë që “partnerët tanë perëndimorë do të mbajnë anën tonë në raport me Serbinë, dhe se s’kemi nevojë në që të argumentojmë ekzistencën e shtetit tonë.” Kjo ka qenë logjikë e mbrapsht dhe goxha e dëmshme. Sepse dialogu nuk është marrë seriozisht, nuk ka pasë përgatitje të duhur dhe nuk kanë ndërtuar ekipe të përshtatshme për çështjet që janë diskutuar”.
“Kjo ka bërë që pozicioni i Kosovës të keqësohet vazhdimisht në gjithë këtë dekade të dialogut me Serbinë”.
Në fund të vitit 2018 Presidenti Donald Trump u kishte shkruar letër presidentëve, Hashim Thaçit të Kosovës dhe Aleksandar Vuciqit të Serbisë duke u thënë se i mirëpret në Shtëpinë e Bardhë për të arritur marrëveshjen dhe për ta festuar atë.
Për shkak të zhvillimeve me Gjykatën Speciale, në Uashington nuk do të udhëtojë Presidenti Thaçi, por Kryeministri Avdullah Hoti.