Pëlcasin grushtet në Ministrinë e Infrastrukturës, së paku një zyrtar i lënduar në përleshjen që po mbahet fshehtë për publikun

Një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është sulmuar para disa ditësh nga një koleg i tij, në ambientet e këtij dikasteri. Sinjali ka mësuar detaje se si ndodhi ngjarja për këtë rast, i cili po mbahet fshehtë nga publiku.

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se rasti ka ndodhur të martën, më 29 mars, kur një zyrtar MMPHI-së dyshohet se sulmoi një zyrtar tjetër (të dy emra të njohur për redaksinë). Atë ditë, sipas burimeve të Sinjalit, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, pasi është ftuar nga viktima e këtij rasti.

Zyrtari i cili u sulmua nga kolegu i tij ka pësuar lëndime trupore, për çka ka marrë edhe pushim mjekësor nga departamenti ku shërben.

A është hapur rast dhe çfarë ka ndodhur me të dyshuarin? – Përleshja po mbahet e fshehtë për publikun

Për të marrë një konfirmim zyrtar lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës.

Nga Policia nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, ndërkohë që nga ministria fillimisht nuk janë përgjigjur në dhjetëra thirrjet e Sinjalit, në numrat kontaktues të MMPHI-së.

Kështu Sinjali është detyruar të kontaktojë me zëvendësministrin, Hysen Durmishi, i cili e pranoi faktin se më lehtë mediat kontaktojnë me një zv/ministër se sa me zyrtarët për informim, detyra e të cilëve është pikërisht të përgjigjen për media.

“Nuk e di për besë, kontaktojë ata në Departament. Ose përmes zyrës për media, ose najqysh. Te unë po keni qasje ma lehtë se te zyra për media a? Shkruju ose diçka. S’po di çka me të thanë, kontaktoni diqysh”, tha Durmishi për Sinjalin.

Ndërkohë, Sinjali ka telefonuar sërish në numrat e Divizionit për Komunikimin Publik të ministrisë, me ç’rast është përgjigjur një zyrtare, e cila ka kërkuar që pyetjet të adresohen në e-mail. Por deri në publikimin e këtij lajmi, nuk është kthyer asnjë përgjigje për pyetjet e dërguara përmes e-mailit.