Kina planifikon të katërfishojë rezervat e saj bërthamore deri në vitin 2030.
Kjo, sipas një vlerësimi të Pentagonit, që tregon për një ndryshim në politikën kineze me implikime të mëdha për balancën e fuqisë ushtarake.
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka thënë se Kina mund të ketë 700 koka bërthamore të dorëzueshme deri në vitin 2027 dhe do të rrisë stokun e saj që, aktualisht, vlerësohet rreth 200 – e që pritet të rritet në të paktën 1 mijë koka bërthamore deri në fund të dekadës.
Në anën tjetër, aktualisht sipas Projektit të Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, SHBA-të kanë rreth 3 mijë e 800 koka luftarake.
Projeksioni shënoi një rritje dramatike nga vlerësimi i vitit të kaluar, kur Pentagoni pati thënë se Kina ishte në rrugën e duhur për të dyfishuar rezervat e saj.
“Nëse ky do të ishte një emoji, do të ishte emoji ‘që i shpërthejnë sytë’”, tha Caitlin Talmadge, eksperte për armët bërthamore kineze në Universitetin Georgetown.
Në raportin e fundit të Pentagonit për fuqinë ushtarake të Kinës tregohet se Pekini “po zgjeron numrin e platformave të shpërndarjes bërthamore me bazë tokësore, detare, ajrore dhe po ndërton infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur këtë zgjerim të madh të forcave të tij bërthamore”.
Paralajmërimi vjen disa javë, pasi “Financial Times” raportoi se Kina kishte testuar një armë hipersonike me aftësi bërthamore, për të cilën Gjeneral Mark Milley tha më vonë se ishte “shumë afër” një “momenti Sputnik”, duke iu referuar BRSS dhe kohës kur nisi Sateliti i parë artificial në vitin 1957.
Po ashtu, raporti vjen pasi tensionet mes SHBA-ve dhe Kinës mbeten të larta, duke përfshirë shqetësimet për mundësinë e luftës për Tajvanin.
Ndërkaq, disa planifikues dhe ekspertë ushtarakë amerikanë janë të shqetësuar se Kina po zgjeron forcat e saj bërthamore për të kufizuar opsionet amerikane në rast konflikti.
Pentagoni, tha po ashtu se ushtria kineze po punonte drejt përmirësimit të aftësive të caktuara deri në vitin 2027, të cilat do t’i “siguronin Pekinit opsione më të besueshme ushtarake në një emergjencë të Tajvanit”.
Admirali, Philip Davidson, në atë kohë kreu i komandës amerikane të Indo-Paqësorit, pati thënë se Kina mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Tajvanit deri në vitin 2027, megjithëse ekspertë të tjerë janë më skeptikë.
Duke folur në Forumin e Sigurisë në Aspen, Milley, tha se nuk mendonte se Kina do të ndërmerrte veprime ushtarake ndaj Tajvanit në “të ardhmen e afërt” – domethënë gjatë dy viteve të ardhshme – por paralajmëroi se Pekini po zhvillonte aftësinë.
“Kinezët po ndërtojnë qartë dhe pa mëdyshje aftësinë për të ofruar ato opsione”, tha ai.
“Por e ardhmja e afërt? Me siguri jo. Por gjithçka mund të ndodhë”, shtoi ai.
Evan Medeiros, ish-këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Azinë tani në Universitetin Georgetown, thotë se zbulimet në raportin e Pentagonit sinjalizuan një “lloj të ri dhe shumë më sfidues të luftës së ftohtë”.
“Ky është një ndryshim historik i lojës për lidhjet SHBA-Kinë, duke përshpejtuar konkurrencën dhe duke theksuar mosbesimin,” tha Medeiros.
“Ky zhvillim kërkon që kontrolli i armëve të jetë në rendin e ditës kur Presidenti Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping të mbajnë një samit virtual më vonë këtë vit”, ka shtuar ai.
Mes tjerash, sipas Pentagonit, Kina po rrit kapacitetin e saj për të prodhuar dhe ndarë plutonium, për të cilin, Caitlin Talmadge, kishte thënë se ishte një “punë e madhe”, sepse kjo ishte parë si një nga kufizimet në përshpejtimin e Kinës për zhvillimin e kokave bërthamore, të cilat kërkojnë materiale të zbërthyeshme.
Gjithsesi, një ekspert i fushës së studimeve nukleare, Jeffrey Lewis, thotë se ishte e rëndësishme të ruhej njëfarë skepticizmi.
“Unë jam i kujdesshëm në lidhje me pranimin e 1 mijë kokave me vlerë nominale, por duket mjaft e qartë se kinezët nuk janë të gatshëm të pranojnë më parësinë bërthamore të SHBA-ve”, tha Lewis.
Përparimet kineze ngrenë pyetje të reja nëse Kina po largohet nga politika e saj e gjatë e “parandalimit minimal” bërthamor, e cila është krijuar për të siguruar që ajo të ketë aftësinë për t’iu përgjigjur një goditjeje të parë.
Disa ekspertë ushtarakë kinezë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin se Pekini mund të braktisë politikën e tij të “mos përdorimit të parë” të armëve bërthamore.
Gjithashtu, raporti i Pentagonit tregon se Ushtria Çlirimtare Popullore kishte filluar zbatimin e një qëndrimi të “paralajmërimit të hershëm kundër sulmit”, i cili do ta bënte shumë më të lehtë kundërsulmin përpara se një raketë amerikane në hyrje të godiste objektivin e saj në Kinë.