Mikrobiologu Lul Raka ka folur në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ai thotë që cfarëdo vendimi që merret duhet të analizohet hollësisht nga të gjitha këndvështrimet dhe institucionet relevante duke dhënë të gjithë opusin e mundshëm të impaktit të intervenimeve të ndërmarra.
“Dy faktorët kryesor të rritjes së numrave janë : mosrespektimi masiv nga qytetarët dhe mungesa e mbikqyrjes dhe kontrollit nga shteti. Këtu është problemi kyç dhe këtu duhet të jetë fokusi i përgjigjes pa lënë anash rekomandimet e fundit të ECDC”, u shpreh Raka në Facebook.
Postimi i plotë:
PËR APO KUNDËR GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME?
Aspektet shëndetësore
Çfarëdo vendimi që merret duhet të analizohet hollësisht nga të gjitha këndvështrimet dhe institucionet relevante duke dhënë të gjithë opusin e mundshëm të impaktit të intervenimeve të ndërmarra.
Reagimi nuk duhet të jetë reaktiv dhe vendimit politik duhet t’i paraprijnë qasja shkencore.
Dy faktorët kryesor të rritjes së numrave janë : mosrespektimi masiv nga qytetarët dhe mungesa e mbikqyrjes dhe kontrollit nga shteti. Këtu është problemi kyç dhe këtu duhet të jetë fokusi i përgjigjes pa lënë anash rekomandimet e fundit të ECDC.
Kultura dhe mentaliteti janë pjesë të rëndësishme që duhet të merren në konsideratë në intervenim.
ARGUMENTET KUNDËR GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME (IZOLIMIT TOTAL)
Përqindja e imunitetit në vendet me prekje masive-Spanjë, Francë, etj. ka qenë vetëm 5%. Suedia, e cila ka pasur qasje më liberale, edhe pse ka pasur edhe ajo restriksione ka imunitet vetëm 7%. Për të arritur të ashtuquajturin imunitet kolektiv duhet të preken 70% e popullatës, por kjo shkon me mijëra të vdekur. Kjo qasje nuk është as etike e as e arritshme. Këtë qasje asnjë shtet në botë nuk e zbaton.
Me këtë numër të ulët të personave që kanë kaluar sëmundjen, pjesa dërmuese e popullatës mbeten të ndjeshëm dhe kurdo pas çdo karantinimi, nëse s’ka mbikqyrje nga shteti, do të ketë rishfaqje masive të numrave. Rezultatet pozitive që mund të vijnë nga izolimi total janë afatshkurtëra.
PASOJAT:
· Shkatërrimi i ekonomisë
· Shkatërrohet shëndeti metal me dhunë përcjellëse në familje
· Mundësia e reagimit popullor (demonstratat)
· Gjendja e jashtëzakonshme lë në hije të gjithë sektorët tjerë të shëndetësisë, që po ashtu, janë vital për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarit.
Fatura e izolimit total është shumë më e lartë dhe është opcini i fundit nga të gjithë skenarët e mundshëm.
CILA ËSHTË ZGJIDHJA E MUNDSHME?
Zgjidhje mund të jetë qasja “TË GJITHË ME MASKA”
· MASKAT duhet të jenë OBLIGATIVE! Të blihen maska shumëpërdorimëshe nga shteti dhe të shpërndahen në popull!
· Kjo qasje mund ta ulë lakoren
· Mund të zbatohet për një kohë më të gjatë
· njëkohësisht parandalon edhe sëmundjen edhe ruan ekonominë dhe shëndetin mendor.
PËRPARËSITË GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME
· Ulje e numrit të të prekurve
· Ulje e vdekshmërisë
AKTIVITETET PËRCJELLËSE
Opcionet e përgjigjes janë dhënë nga ECDC në bashkëpunim edhe me Kosovën, në botimin e para 10 ditëve:
• Kornizë e fortë e monitorimit, për të përcjellë situatën epidemiologjike, për zbulimin e shpejtë të rritjes së transmetimit, dhe për vlerësimin e ndikimit të intervenimeve të kryera.
• Strategji e zgjeruar e testimit, që synon testimin gjithëpërfshirës të të gjithë individëve që shfaqin simptoma të COVID-19.
• Kornizë për gjurmimin e kontakteve, të bazuar në testime të gjera, gjetjen aktive të rasteve, zbulim të hershëm të rasteve, izolimin dhe karantinimin e tyre dhe përcjelljen e vazhdueshme të kontakteve.
• Identifikimi i shpejtë dhe hetimi i vatrave të epidemisë të lidhura me mjedise specifike, me zbatimin e masave të rregullta parandalimit dhe kontrollit .
• zbatimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i masave jofarmaceutike (distancë fizike, maskë, higjienë e duarve)
• Strategji e fortë e komunikimit të rrezikut, me të cilën duhet t’i rikujtojë qytetarët se pandemia nuk ka mbaruar.