Vladimir Putin do të vizitojë dy shtete të vogla ish-sovjetike në Azinë qendrore këtë javë. Lajmin për vizitat e para jashtë vendit të kreut të Kremlinit që nga fillimi i luftës në Ukrainë e njoftoi televizioni shtetëror rus të dielën.
Pavel Zarubin, korrespondenti i televizionit shtetëror Rossiya 1 në Kremlin, tha se Putin do të vizitojë Taxhikistanin dhe Turkmenistanin dhe më pas do të takohet me presidentin indonezian Joko Widodo për bisedime në Moskë.
“Në Dushanbe, Putin do të takohet me presidentin e Taxhikistanit, Imomali Rakhmon, një aleat i ngushtë rus dhe sundimtari më jetëgjatë i një shteti ish-sovjetik. Në Ashgabat, ai do të marrë pjesë në një samit të vendeve të Kaspikut, duke përfshirë liderët e Azerbajxhanit, Kazakistanit, Iranit dhe Turkmenistanit”, tha Zarubin.
Putin gjithashtu planifikon të vizitojë qytetin e Grodnos në Bjellorusi më 30 qershor dhe 1 korrik për të marrë pjesë në një forum me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.
Udhëtimi i fundit i njohur i Putinit jashtë Rusisë ishte një vizitë në Pekin në fillim të shkurtit, ku ai dhe presidenti kinez Xi Jinping zbuluan një traktat miqësie “pa kufij” disa orë përpara se të dy të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore.
Rusia thotë se dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt për të degraduar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj, për të mos e përdorur armët nga Perëndimi për të kërcënuar Rusinë, për të çrrënjosur nacionalistët dhe për të mbrojtur rusishtfolësit në rajonet lindore.
Ukraina e quan pushtimin e 24 shkurtit që ka vrarë mijëra njerëëz, një rrëmbim toke të stilit perandorak.
Pushtimi i Rusisë ka zhvendosur miliona dhe ka çuar në sanksione të rënda financiare nga Perëndimi, të cilat Putin thotë se janë një arsye për të ndërtuar lidhje më të forta tregtare me fuqi të tjera si Kina, India dhe Irani.