Senatorja australiane Pauline Hanson është pezulluar për një javë nga punimet e parlamentit, pasi hyri në sallën e senatit e veshur me hixhab, në një veprim proteste për të kërkuar ndalimin e kësaj veshjeje në vend.
Hanson, përfaqësuese e partisë së djathtë One Nation, u përball me reagime të forta nga kolegët, të cilët më pas votuan edhe një mocion zyrtar censurimi. Njëra prej senatoreve e quajti veprimin e saj “racizëm të hapur”.
Senatorja kërkonte paraqitjen e një projektligji që ndalon mbulimin e plotë të fytyrës në publik, një propozim për të cilin ajo ka lobuar prej vitesh. Refuzimi i projektligjit e shtyu Hanson të rikthehej në sallë e veshur me një hixhab të zezë, për herë të dytë në karrierën e saj politike.
Senatorja e Gjelbërve, Mehreen Faruqi, vetë myslimane, tha se Hanson “po shfaq racizëm të pastër”, duke kujtuar një vendim të vitit të kaluar të Gjykatës Federale, që e njohu atë si viktimë të diskriminimit racor nga Hanson vendim që kjo e fundit po e apelon.
Edhe senatorja e pavarur Fatima Payman e quajti performancën “të turpshme”. Ministrja e Jashtme Penny Wong, njëkohësisht udhëheqëse e qeverisë në senat, paraqiti mocionin e censurimit, duke akuzuar Hanson se “ka dekada që e paraqet paragjykimin si protestë”. Mocioni u miratua me 55 vota pro dhe vetëm pesë kundër.
Dokumenti i miratuar thotë se veprimet e Hanson synonin “të tallnin dhe të poshtëronin njerëzit mbi bazë të fesë” dhe se ishin “shpërfillëse ndaj komunitetit mysliman australian”. Në një reagim në Facebook, Hanson shkroi: Nëse nuk duan të më shohin me të, le ta ndalojnë hixhabin.
Kjo nuk është hera e parë që Hanson përdor hixhabin si simbol proteste: ajo e ka veshur edhe në vitin 2017, teksa kërkonte një ndalim kombëtar të saj. Në të kaluarën, Hanson ka marrë kritika për deklarata të forta kundër emigracionit, përfshirë pohimin në vitin 2016 se Australia rrezikonte të “pushtohej nga myslimanët”, si dhe paralajmërimin e vitit 1996 se vendi mund të “pushtohej nga aziatikët”.
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…