Mes 28 personave të arrestuar nga policia orët e fundit janë edhe botuesi i njohur Henri Çili si edhe biznesmeni Seit Fishta.
Ndaj Çilit rëndojnë katër akuza sipas kreut të Policisë së Shtetit, të cilat lidhen me pastrimin e parave, falsifikimin e dokumenteve dhe ndikimin e paligjshëm ndaj organeve të drejtësisë.
Në dosjen hetimore të siguruara nga abcnews.al, prokuroria ka konstatuar dy raste ku sipas saj Henri Çili ka tentuar të ndikojë në vendimet e Sistemit të Drejtësisë.
Ndikimi do të bëhej përmes një zyrtari të lartë në Sistemin e Drejtësisë, i cili takohet me botuesin Henri Çili në 14 janar të këtij viti në një hotel në qendër të Tiranës. Prokuroria ka përgjuar bisedën dhe ka dalë në përfundimin se zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë, të cilit nuk i gjendet emri në dosje, ka siguruar sipas Çilit zgjidhjen e të dyja rasteve në Gjykatën e Lartë.
Bëhet fjalë për rekursin në Gjykatën e Lartë të vëllezërve Alban dhe Arbion Aliko si edhe Feti Yzeirajn. Alikot janë dënuar me respektivisht burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, kurse Yzeiraj gjithashtu është dënuar me burgim të përjetshëm për një krim makabër disa vite më parë në Mallkastër.
Si Alikot ashtu edhe Yzeiraj kanë kërkuar rekurs për çështjen e tyre në Gjykatën e Lartë (shiko dokumentin) dhe kanë tentuar të ndërhyjnë në vendimin e gjykatës. Për të bërë këtë kanë kontaktuar me kunatin e Henri Çilit, Gazmir (Enri) Ajdinaj i njohur në dosjen e prokurorisë së Gazmir Ajdinaj.
Ky i fundit i ka siguruar fillimisht Çilit një takim me babain e Alikove, ndërsa ka komunikuar vetë me të afërmit të Yzeirajt duke i premtuar të ndikojë tek Gjykata e Lartë përmes Henri Çilit në favor të të dënuarëve.
Prokuroria ka përgjuar gjithçka nga raportet mes palëve të përfshira, një pjesë e madhe e të cilëve është arrestuar.
Por, ajo që të bën përshtypje është fakti se në dosjen hetimore nuk përmendet se kush është zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë përmes të cilit Henri Çili thuhet se do të ndikonte tek Gjykata e Lartë. Prokuroria nuk jep asnjë emër në dosje edhe pse thotë se ka përgjuar bisedën dhe këtij “zyrtari të lartë të Sistemit të Drejtësisë”.
Ky i fundit mbetet ende mister dhe nuk ka një emër apo pozicion, të cilin ai e mban.
Gjithashtu, një fakt tjetër që vlen të theksohet është se ky “zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë” siguron botuesin Henri Çili se do t’i kalojë tek 50 të parat në radhën e shqyrtimit çështjet për të cilat ai interesohet.
Duhet theksuar se në Gjykatën e Lartë ndodhen rreth 33 000 dosje.
Kjo tregon se kemi të bëjmë me një person të fuqishëm në këtë institucion apo që ka ndikim në këtë institucion sa të kthejë përmbys dosjet dhe të nxjerrë në krye Alikot dhe Yzeirajn.
Krahas tentativës për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në Sistemin e Drejtësisë, thelbi i gjithë kësaj historie lidhet pikërisht me faktin se në lojë është edhe një “zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë” që merr përsipër të lirojë apo lehtësojë të dënuar me burgim të përjetshëm kundrejt rryshfetit dhe për më tepër..nuk është arrestuar.
DOSJA E ZBARDHUR NGA ABCNEWS.AL
Sipas dosjes hetimore të zbardhur nga abcnews.al, hetimi ka zgjatur nga shtatori 2019 deri në shkurt 2020.
Në qendër të hetimit kanë qenë fillimisht kunati i Henri Çilit, Gazmir (Enri) Ajdinaj dhe vëllezërit Aliko. Grupi ku ishte përfshirë Ajdinaj merrej me trafik të lëndëve ekskplozive dhe drogës. Grupi ushtronte aktivitet në Gjirokastër, Këlcyrë dhe Shkodër.
Gjatë përgjimeve, është konstatuar një telefonatë mes Gazmir (Enri) Ajdinajt, i cili rezulton të jetë vëllai i bashkëjetueses së Henri Çilit dhe Adil Alikos nga Lazarati, i cili rezulton të jetë babai i Arbion dhe Alban Alikos, të dënuar respektivisht me burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha gjatë operacionit kundër kultivimit të drogës në Lazarat.
Në dosjen hetimore të siguruar nga abcnews.al rezulton se gjatë telefonatava të përgjuara, babai i vëllezërve Aliko i ka kërkuar ndihmë Gazmir Ajndinajt për lirimin e djemve duke theksuar se i kërkonin 1 milion euro.
Gazmir (Enri) Ajdinaj merr përsipër që ta ndihmojë dhe ndërmjetëson një takim të Adil Alikos me Henri Çilin.
Në dosjen hetimore që ka siguruar abcnews.al theksohet se takimi është kryer në 7 dhjetor 2019 në Tiranë.
Biseda është përgjuar dhe filmuar nga prokurorët. Gjatë kësaj bisede, mësohet se shuma e cila do të përdorej për lirimin e vëllezërve Aliko do të zbriste nga 1 milion euro në 750 mijë euro, ku një pjesë do të jepej CASH dhe pjesa tjetër me prona.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se në 10 janar 2020, Henri Çili i ka dhënë një prokurorë për të vepruar në emrin e tij, bashkëpunëtorit Betim Shkupi për marrjen e dy pronave në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë.
Pas këtij dhurimi, Henri Çili komunikon me Gazmir (Enri) Ajdinajn dhe i thotë se gjithçka ka shkuar për mrekulli dhe se meritonte një shpërblim.
Prokuroria ka konstatuar se më datë 3 shkurt 2020, Henri Çili ka komunikuar me Drejtoreshën e Kadastrës së Shkodrës duke i kërkuar që të veprojë me shpejtësi për regjistrimin e pronave, raporton abcneës.al.
“Kjo shtetase, pasi i premton se do të veprojë shpejt, i kërkon që të dërgojë dokumentet”, shkruhet në dosje.
Disa ditë më vonë, prokuroria konstaton se Henri Çilit i janë dorëzuar edhe 30 000 euro për të ndikuar në vendimin për Alikot. Prokuroria ka kapur edhe një rast tjetër të tentativës për të ndikuar mbi vendimin që do të jepej për Feti Yzeirajn, i dënuar me burgim të përjetshëm. Jazo Liko është përgjuar duke mbledhur 1 000 000 lekë nga familjarët e Yzeirajt me qëllim dorëzimin tek Gazmir (Enri) Ajdinajt për llogari të Henri Çilit.
Shuma prej 1 000 000 lekë nuk u dorëzua pasi Lazo Liko u ndalua në momentin që do të dorëzonte paratë.
Pas marrjes së pronave dhe parave, sipas prokurorisë, Henri Çili ka zhvilluar një takim më datë 14 janar 2020 me një drejtues të lartë të Sistemit të Drejtësisë në një hotel në Tiranë.
Edhe ky takim është përgjuar.
Nga përgjimet është konstatuar se Henri Çili i kërkon zyrtarit të lartë që të zgjidhë çështjen e vëllezërve Aliko dhe Yzeirajt sa më parë dhe ai i siguron se ata (Alikot) do të jenë në 50 dosjet e para që do të shqyrtohen, shkruan abcnews.al.
Disa ditë më vonë arrestohet pikërisht Gazmir (Enri) Ajdinaj teksa policia i kapi dy kallëpe tritol në makinë.
Arestimi erdhi pasi prokuroria ka përgjuar një telefonatë mes Arbion Alikos nga burgu i Burrelit dhe Gazmir Ajdinajt për një sasi tritoli.
Në 23 shkurt 2020, Ajdinaj shkon në Gjirokastër dhe mori disa sende nga Adil dhe Amarildo Aliko. Policia ndaloi makinën e tij në Tepelenë duke i gjetur aty dy kallëpe tritol si edhe fitil zjarrpërcjellës. Operacioni i djeshëm është faza e dytë arrestimeve të bëra ndaj grupit ku bënte pjesë edhe Ajdinaj.