Disa persona janë arrestuar, kurse tre policë dhe disa qytetarë janë lënduar në trazirat e së shtunës në mbrëmje në lagjen Zlatica të Podgoricës.
Deri te incidenti në lagjen Zlatica erdhi kur policia hodhi gaz lotsjellës në vendin ku qytetarët po kujdestaronin në mbrojtje të muralit ‘trengjyrëshi’ (trengjyrëshi simbolizon flamurin nga koha e mbretit malazez Nikolla, që ishte një mështetës i madh i serbëve).
Sipas mediave malazeze, policia paraprakisht kishte urdhëruar qytetarët e grumbulluar që të shpërndaheshin, por ata formuan një mur të gjallë rreth muralit. Policia ia doli t’i largojë qytetarët e grumbulluar.
Kur zyrtarët policorë komunalë, të rrethuar nga oficerë të Drejtorisë së Policisë, filluan të ngjyrosin me të bardhë muralin në hapësirën publike, erdhi deri te trazirat e reja. Protestuesit filluan të gjuajnë me fishekzjarre dhe gur mbi policinë, të cilët u përgjigjën me gaz lotësjellës, përcjell Telegrafi.
Rreth orës 21:40, qytetarët filluan të shpërndahen, pas thirrjeve të policisë. Murali u ringjyros, kurse policia u vendos në pyllin në Zlatica, përtej rrugës nga pasarela, duke shpërndarë një pjesë të protestuesve.
Mirëpo, protestuesit filluan të grumbulloheshin sërish, kurse policia përsëri gjuajti gaz lotsjellës.