Pesë vjet e gjysmë burgim kosovarit që hodhi në erë një bankomat në Zvicër

Gjykata e Lartë e Zurichut ka dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim një shtetas kosovar, nën akuzat se kishte hedhur në ajër një bankomat në Dietlikon të Zvicrës. Ai po ashtu është dënuar me dhjetë vjet dëbim nga Zvicra, raporton “Tages Anzeiger”.

Kosovari 48-vjeçar u dënua me akuzat se më 31 gusht të vitit 2021 kishte hedhur në ajër një bankomat dhe kishte shkaktuar dëme në vlerë 69 mijë franga zvicerane. Paratë në bankomat kishin mbetur të paprekura. U pretendua se dy persona morën pjesë në këtë krim, ndërsa gjurmët e ADN-së çuan te një kosovar 48-vjeçar që jeton në kantonin e Zurichut.

Kosovarit i ishte lejuar hyrja e ligjshme në Zvicër nga Zyra e Migracionit në Zurich, për t’iu bashkuar bashkëshortes dhe fëmijëve. Ai ishte dënuar tetë herë në Zvicër nga viti 1996 deri më 2006, për vjedhje apo edhe kundërvajtje në trafik.

Në shtator të vitit 2011, ai u dëbua për pesë vjet nga Zvicra. Në total, para krimit të vitit 2021, ai kishte marrë 40 muaj burgim.

Edhe para se të dëbohej nga Zvicra, ai ishte kapur nga autoritetet shqiptare me 110 kilogramë kanabis dhe u dënua me 7 vjet e 8 muaj burgim në vitin 2012.

U lirua më herët dhe në vitin 2016, ai kishte aplikuar për të hyrë në Zvicër. Në aplikim nuk kishte përfshirë dosjen e tij kriminale në Shqipëri. Ai paraqiti një dosje të pastër.

Duke përdorur pajisje të vjedhura të saldimit, kosovari dhe një person tjetër hodhën në erë një bankomat në vitin 2021.

Në Gjykatën e Qarkut në Bulach ai ishte dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim dhe ndalim hyrje në Zvicër për 14 vjet.

49-vjeçari, që ndodhet në burg nga qershori i vitit 2022, bëri ankesë në Gjykatën e Lartë.

“Unë jam i pafajshëm”, tha ai gjatë paraqitjes në gjykatë. Ai kërkoi lirimin dhe tha se Zvicra e dinte për dënimet e tij të mëparshme dhe s’duhej përmendur. Burri po ashtu tha se ADN-ja e tij nuk ishte gjetur në makinën e saldimit.

Avokati i kosovarit ka përmendur gjendjen shëndetësore të klientit të tij, duke pretenduar se vuan nga një sëmundje e zorrëve dhe po ashtu një formë e reumatizmit.

“Trajtimi në Kosovë nuk është i mundur. 14 vjet dëbim është krejtësisht joproporcionale”, tha avokati.
Gjykata e Lartë konfirmoi fajësinë e kosovarit, për shpërthimin e bankomatit dhe tentim vjedhjen e rëndë. E dënoi me 5 vjet e gjysmë burgim. Ai ka shërbyer tashmë tri vjet. Pas vuajtjes së mbetur të dënimit, ai duhet të largohet për 10 vjet nga Zvicra. Kosovari ka mundësi të ankohet në Gjykatën Federale.