Pezullohen punimet në “Rrugën A”, Rama akuzon për vendim politik

Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur që të ndalë punimet në “Rrugën A”, që qeverisja e Përparim Ramës e ka cilësuar si më të rëndësishmin deri tash. Vetë kryetari Rama ka akuzuar se ky vendim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi duke thënë se vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kanë thënë se arsye e pezullimit është dyshimi për shkelje ligjore gjatë aktivitetit të prokurimit. Ndërsa Rama duke thënë se nuk i komenton vendimet e gjyqësorit, ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që të ankohet ndaj vendimit.

“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, ‘Rrugën A’ (Jim Xhema). Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli. Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai po ashtu ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që “ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”.

Asamblisti i VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, e ka quajtur “Komunë të paligjshmërive”, qeverisjen e Ramës.

“Njëzet e tre (23) aktivitete të prokurimit janë anuluar nga Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2022. Më shumë se çdo komunë tjetër në Kosovë. Nëntëmbëdhjetë (19) prej tyre janë anuluar pas hapjes së ofertave. (!) Sot Gjykata Komerciale paska vendosur për pezullimin e punëve në rrugën A. Arsyeja e pezullimit është dyshimi i bazuar për parregullësi e shkelje ligjore gjatë aktivitetit të prokurimit. Rruga A është i vetmi projekt i madh i filluar gjatë dy viteve të qeverisjes së koalicionit LDK-PDK në krye me Përparim Ramën”, ka shkruar ai në Facebook.