Plenkoviç i prerë: Serbia mund të importojë naftë, përveç naftës ruse

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka reaguar përsëri në lidhje me deklaratat e lidershipit politik në Serbi, se shteti kroat qëndron prapa ndalimit të importit të naftës ruse.

“Le t’i vendosim gjërat në tavolinë ashtu siç janë. Së bashku, Bashkimi Evropian, jo Kroacia, miratuan një paketë sanksionesh kundër Rusisë. Serbia nuk ka dëshmuar në asnjë mënyrë se ka ndonjë kërcënim energjetik, se importi i naftës ruse është problemi i fundit e tyre”, ka thënë Plenkoviç, transmeton mediumi kroat “Jutarnji”.

Kreu i ekzekutivit, ka theksuar se Serbia mund të importojë naftë, përveç naftës ruse.

“Nëse Serbia mund të marrë naftë, por jo ruse, atëherë cili është problemi? Nuk ka problem. Janaf është këtu, Krk është këtu, Kroacia është këtu”, shtoi ai.

Në fund, për Plenkoviç-in, deklaratat ankuese nga autoritetet serbe janë “qesharake, ofenduese, të pasakta dhe të vrazhda”.

“Është e qartë se Serbia e kupton mesazhin, nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ajo nënkupton përmbushjen e disa parimeve dhe vendosjen e sanksioneve”

Ndryshe, në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian, me të mbërritur në Pragë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç konstatoi se nuk e fajëson aspak Kroacinë për pengimin e importit të naftës ruse.

“Kroacia thjesht po bënë punën e saj, të cilën e ka bërë për dekada, që nga viti 1941”, duke aluduar kështu tek lëvizja fashiste e Kroacisë – “Ustasha”.

Kur u pyet pse fajëson Kroacinë kur është Serbia ajo që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Vuçiç ka deklaruar se Zagrebi nuk do të udhëheqë politikën e Beogradit.

“Do të udhëhiqet nga qytetarët e Serbisë përmes përfaqësuesve të zgjedhur dhe kundër të gjithë atyre që mendojnë se mund t’ia imponojnë vullnetin Serbisë”, transmeton mediumi serb “N1”.

Nga ana tjetër, kryeministri kroat theksoi se kishte parë “reagime të pashembullta dhe të stuhishme” nga Serbia.

“Unë jam padyshim “Ustash” atje (në Serbi). Serbia nuk mund të ulet në dy karrige”, ka deklaruar Plenkoviç në Pragë.

Shtetet e BE-së, të mërkurën, votuan për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat përfshijnë kufizimin e çmimeve të naftës ruse të eksportuara nga vendet e treta. Pas miratimit të këtij vendimi, Serbia nuk do të mund të importojë naftë nga Rusia përmes Janaf-it (Gazsjellësit Adriatik), çka do të thotë se sanksionet e vendosura ndaj Moskës praktikisht janë bartur edhe në Beograd.

Propozimi fillestar i Komisionit Evropian parashikonte një përjashtim kur bëhet fjalë për furnizimin nga gazsjellësi i Adriatikut, por me insistimin e disa vendeve anëtare të BE-së, ai propozim u refuzua, sepse qëndrimi është se nuk ka arsyetim që Serbia të përjashtohet.

Arsyetimi tjetër ishte se Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, prandaj nuk duhet të përfitojë nga derogimi.

Ky vendim, sipas mediave të afërta me presidentin Vuçiç, ka tronditur këtë të fundit, i cili beson se Kroacia është përgjegjësja për bllokadën e vendosur ndaj Beogradit.