Pas pajtimit me Serbinë rreth çështjes targave ilegale dhe pritjes për vazhdim të dialogut drejt një marrëveshje bazuar në planin franko-gjerman, kryeministri i Kosovës Albin Kurti iu është kthyer intervistave për mediat e huaja. Mbrëmë ka folur për një medium nga Mali i Zi, ndërsa sot gazetari gjerman, Michael Martens ka zbuluar se sapo ka përfunduar një bashkëbisedim me Kurtin për zhvillimet aktuale politike.
Siç ka treguar gazetari i prestigjiozes gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Kurti ka konfirmuar se Kosova zyrtarisht do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE gjatë muajit dhjetor të këtij viti.
Gjithashtu në këtë intervistë Kurti ka treguar se pse është bindur që të shtynte vendimin për targat pas bisedës që kishte pasur me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Kreu i Qeverisë kosovare s’ka ngurruar që t’i kundërpërgjigjet edhe kryediplomatit spanjoll, Josep Borell, i cili e quajti Kurtin “jokonstruktiv” pas dështimit për një marrëveshje në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel.
Përveç gjithë këtyre detajeve që përmbajnë edhe pjesë nga përgjigjet e Kurtit, gazetari gjerman, Michael Martens ka zbuluar edhe çështjet tjera me të cilat ka biseduar me Kurtin dhe pyetjet me të cilat e ka sfiduar kreun e Qeverisë së Kosovës.
Martens ka treguar se e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti edhe për atë se çfarë stimulimi ka Aleksander Vuçiq për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës kur sipas gazetarit gjerman perspektiva evropiane për Serbinë dhe për pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor është e vdekur pavarësisht çfarë bëjnë, raporton Gazeta Express.
Përveç kësaj, Martens a ka sfiduar Kurtin edhe me pyetjen se “A do ta njihje pavarësinë e Kosovës nëse do të ishte Vuçiq” apo pse Vuçiq do ta bënte një gjë të tillë nëse çmimi që njëherë dukej se e priste në horizont tashmë është zhdukur.
Gazetari gjerman gjithashtu ka thënë se ka folur për çështjen e minoriteteve dhe për atë që është përfolur si ide për reciprocitet, pra që edhe shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës të kenë saktësisht të drejtat a barabarta me serbët që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës.
Martens ka thënë se gjatë kësaj interviste është përpjekur të kuptojë nëse “moszbatimi i kësaj ideje [Asociacionit] është më i rëndësishëm për zotin Kurti se sa përkeqësimi i mundshëm i marrëdhënieve të Kosovës me aleatët e saj Perëndimor”./GazetaExpress/