Sherri për radhën në supermarket se kush do të paguante i pari, u bë shkak që 29 vjeçari Jurgen Duka të vritej me një plumb në zemër.
Vrasja u krye nga punonjësi i policisë, Arbër Sula 27 vjeç, banues në Sauk.
E gjithë dinamika e krimit është regjistruar nga kamera e sigurisë së marketit. Vraska ka ndodhur rreth orës 00:20 minuta, në rrugën “Irfan Tomini”.
Viktia Jurgen Duka, i njohur edhe me mbiemrin Mëziri, ka qenë i shoqëruar bashkë me shokun e tij. Siç shihet edhe në video, brenda ndodheshin edhe 5 persona të tjerë. Të rinjtë kanë nisur debatin pranë kasës, se kush e kishte radhën për të paguar.
Sherri mes tyre zgjati 40 sekonda. Siç shihet në pamje viktima shtyn dhe godet me grusht agjentin e krimeve me detyrë në Dibër, Arbër Sula. Në sherr e sipër ai nxjerr pistoletën nga çanta që mbante në qafë dhe qëllon 29 vjeçarin. Pas 2 sekondash i riu rrëzohet përtokë. Menjëherë të gjithë largohen nga supermarketi, përveç babait të pronarit që ndodhet në kasë.
Jurgen Duka u dërgua në Spitalin e Traumës dhe pas disa minutash ndërroi jetë. Policia i gjeti në rroba 2.8 gram kokainë dhe dyshohet se sherri ka ndodhur teksa autori dhe viktima ishin në gjendje të dehur.
Agjenti i krimeve u shpall në kërkim dhe mësohet se ai nuk ishte në shërbim pasi e kishte pushim. Viktima ishte person me precedent penalë për vepra të ndryshme. Në vitin 2013 u procedua për mashtrim dhe në vitin 2014 për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Dy vite më vonë u dënua nga Apeli i Tiranës me 8 muaj burg për “Falsifikim të monedhave”. Në 2017-ën vuajti 4 muaj burg për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja”.
Në korrik të 2020-ës, Jurgen Duka u arrestua bashkë me një tjetër person në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, si i dyshuar për përfshirje në trafik droge. Më 13 nëntor 2020 u ekstraduan në Itali, por atje fitoi lirinë.