Policia e Kosovës ka konfirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka raportuar një rast kërcënimi ndaj kryetarit të saj dhe disa prej deputetëve të këtij subjekti politik.
Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, ka thënë për KOHËN se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin në fjalë.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë ai.
KOHA ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrën për media të kësaj partie opozitare, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm për përgjigje lidhur me këtë rast.