Prestigjiozja amerikane “Politico” ka shkruar mbi protestat e të djathtës ekstreme në Serbi dhe kërkesën e tyre që të “rimerret Kosova”.
Ky artikull është titulluar “E djathta ekstreme serbe për luftën e Putinit për të shtyrë drejt rimarrjes së Kosovës”.
Artikulli i publikuar nga Bennett Murray thekson që ultranacionalistët serbë po e përdorin invazionin rus në Ukrainë për të “galvanizuar fushatën e tyre kundër pavarësisë së Kosovës”.
“Fitorja për presidentin rus Vladimir Putin në Ukrainë do të ishte një hap i madh për Serbinë që ta rimerrte Kosovën, sipas Misha Vaçiqit, liderit të një partie nacionaliste.” – shkruan ky artikull.
Autori pretendon se më shumë se 200 mijë rusë kanë mbërritur në Serbi prej nisjes së invazionit rus në shkurtin e vitit të kaluar.
Në këtë artikull tregohet edhe se si shumë prej rusëve të ardhur kanë bindje liberale, siç është rasti me aktivistin Ilija Zernov.
Por, në Serbi ai kishte gjetur shumë armiqësi, mes të cilëve edhe Misha Vaçiqin.
“Është revolucion i vërtetë i liberalëve,” – i tha Vaçiqi kësaj gazete, duke shtuar se nëse vetëm 10 për qind e të ardhurve rusë ishin aktivistë liberalë, atëherë Serbia do të përmbytej nga të paktën 20 mijë armiq të tij lbieralë. “Ata mendojnë se duhet ta çlirojnë Serbinë nga serbët, nga vlerat tona tradicionale,” – u shpreh ai.
Zernov ndërkohë është angazhuar në grupet më përkrahëse të Ukrainës në Serbi.