Presidenca e Sierra Leone, shtetit që po raportohet se ka tërhequr sot njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës, është deklaruar pas takimit me kryediplomatin serb i cili po lobon për këtë, Ivica Dacic. Sidoqoftë, në deklaratën e tyre nuk përmendin ‘çnjohje’, teksa deri tash rreth kësaj nuk është njoftuar as Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Presidenca e vendit që ndodhet në Afrikën Perëndimore përmes një njoftimi për media, më herët është deklaruar rreth takimit të Presidentit Julius Maada Bio me Ministrinë e Jashtëm të Serbisë, Ivica Dacic.
Në këtë komunikatë, flitet për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, të cilat nga ata janë konsideruar si shumë të fuqishme dhe se do të vazhdojnë ende.
“Bashkë me Ministren e Jashtme të Sierra Leones, Nabeela Tunis, Presidenti ka folur me diplomatin serb të cilit I ka thënë se Serbia ka lidhje të gjata me shtetin tonë, dhe se ato do të vazhdojnë edhe më tejë përmes konsultimeve në mes dy ministrive”, thuhet në këtë njoftim.
Ai pse lidhur me ndonjë ‘çnjohje’ nuk thuhet asgjë në njoftimin e Presidencës, ndërsa as mediat në këtë shtet nuk kanë raportuar rreth kësaj, Dacic në mëngjes deklaroi se ky vend ka tërhequr njohjen e pavarësisë ndaj Kosovës.
Ai sot ka prezantuar notën verbale të çnjohjes përmes një konference për media, ku thoshte se tashmë 96 vende në OKB nuk do të votojnë më për Kosovën, shkruan Gazeta Metro.
“Me një kënaqësi të veçantë mund t’ua tregoj notën e ministrisë së Jashtme, në të cilën theksohet se Sierra Leone tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe se do t’i respektojë rezultatet e dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE’së dhe OKB’së”, ka thënë Dacic.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, në anën tjetër, ka deklaruar se nuk kanë marrë asnjë njoftim për ndonjë veprim të tillë të Sierra Leones, shkruan Gazeta Metro.
“Sa i përket rastit konkretë ne nuk kemi asgjë të konfirmuar, këto janë pretendime të zotëri Dacic. Në të gjitha vendet që kane ndikim për të ndikuar në mos çnjohjen e Kosovës i ftojë të ndikojnë dhe të lëvizin në këtë aspekt”, theksoi ministri Glauk Konjufca.