Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ka kërkuar raport me shkrim nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për raportimet në mediat sllovene, që e përfshinin në një skandal të madh financiar si sekser për politikanin slloven Robert Golob. Po ashtu Berishaj është thirrur të vijë në Kosovë për ta sqaruar çështjen.
Të enjten, në “Planet TV” të Sllovenisë u raportua për aferën financiare të Golebit, si kryetar i njërës nga partitë atje. Sipas mediumit, ai po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të transferimeve të parave nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven (GEN-I) te një kompani private konsulentë në Mal të Zi, “MB Consulting”. E kjo kompani, sipas raportimeve, e Berishajt, në emër të konsulencës supozohet se i ka tërhequr në para të gatshme rreth 600 mijë eurot e të cilat i ka bartur te politikani slloven. Sipas raportimeve, hetimi po kryhet nga disa shtete.
Të premten, Berishaj mohoi raportimet dhe paralajmëroi padi ndaj mediumit slloven.
Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media i doli në mbrojtje atij, ndërkaq në një sqarim të mëvonshëm në faqen e Presidencës në Facebook, është konfirmuar se Berishaj është ftuar të vijë në Kosovë për ta sqaruar situatën.
“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në njoftim. “Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e z. Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, z. Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale”.
Nga Qeveria kanë kërkuar kujdes ndaj raportimeve, duke thënë se ato po bëhen në një periudhë kur në Slloveni po zhvillohet fushatë elektorale.
“Ambasadori jonë në Kroaci, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër. Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, ka shkruar në Facebook, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.