Në dy muajt e fundit të 2022-ës ndodhën hapat që zhbllokuan procesin e ngecur të liberalizimit të vizave për Kosovën. Tashmë në këtë vit të ri, me këtë temë do të merret Suedia, e cila që nga janari është udhëheqëse e Presidencës së Bashkimit Europian.
Kosova u nda e kënaqur me punën e Presidencës çeke në shtyrjen përpara të çështjes së vizave. Por, këtë tani do ta trajtojë qysh në muajt e parë të udhëheqjes edhe Suedia.
Kështu ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express një zyrtare për shtyp nga Presidenca e Suedisë në BE.
“Është një marrëveshje politike mes Këshillit dhe Parlamentit Europian. Formalitetet e mbetura në lidhje me rregulloren pritet të ndodhin në muajt e parë të Presidencës së Suedisë”, thuhet në përgjigje.
Ambasadorët e Këshillit të BE-së në dhjetor të vitit të kaluar aprovuan tekstin e miratuar nga përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian.
Procedura e radhës tashmë bartet te përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilët duhet ta miratojnë këtë marrëveshje që u arrit nga përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian dhe për votim në Parlamentin Europian.
PE, që ka dëshmuar tashmë që është pro heqjes së vizave, ka të ngjarë ta hedhin në votim çështjen e liberalizimit të vizave në këtë muaj. Kështu pati deklaruar më herët për Express.
“Kjo është planifikuar për votim në Komitetin e Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) më 12 janar. Data plenare ende mbetet për t’u konfirmuar, teorikisht mund të jetë në javën që fillon më 16 janar, por do të shohim kur të afrohet data”, kishte thënë një zëdhënës i Parlamentit Europian për Express.
Sipas asaj që është dakorduar deri më tani, heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi europian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, por BE është dakorduar që kosovarët do të udhëtojnë në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Çështja e liberalizimit të vizave kaloi përfundimisht në Këshillin e BE-së më 30 nëntor të vitit të shkuar për të kaluar në procedurat e tjera.
Hapat e ardhshëm
Pas miratimit të tekstit nga ambasadorët e BE-së, çështja e liberalizimit kthehet sërish në Parlamentin Europian për t’u votuar.
Më pas ambasadorët e BE-së do të duhet të votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave dhe po ashtu me shumicë të thjeshtë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së.
Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.
Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.