Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy gjatë një telefonate në korrik të hetonte nëse ish-nënpresidenti JoeBiden mbylli një hetim për një kompani që kishte punësuar të birin, siç tregon një përmbledhje e telefonatës që u bë publike të mërkurën nga administrata e Presidentit Trump.
“Ka shumë për të folur për të birin e Biden-it, që Biden e ndali ndjekjen penale dhe shumë njerëz duan informacion për këtë çështje, prandaj çdo gjë që mund të bëni me Prokurorin e Përgjithshëm, do të ishte e vlefshme”, thotë zoti Trump në telefonatë, sipas përmbledhjes që u vu në dispozicion nga Departamenti i Drejtësisë.
Sipas dokumentit të zbardhur presidenti Trump tha se zoti “Biden kishte shitur mend shumë herë që mbylli ndjekjen penale prandaj a mund ta shqyrtoni këtë çështje … mua më duket e tmerrshme”.
Telefonata u bë pasi zoti Trump kishte urdhëruar qeverinë amerikane të ngrinte rreth 391 milionë dollarë ndihmë amerikane për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës që pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy pritet të takohen sot pasdite në Nju Jork ku ndodhen të dy për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Zoti Biden, është kandidati kryesor presidencial mes demokratëve. Zoti Trump do të kërkojë një mandat të dytë në zgjedhjet e presidenciale të nëntorit të vitit të ardhshëm.