Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka shkruar për kërkesën që Kosova ia ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave anti-tank Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh, gjë që u konfirmua mbrëmë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gazetën Online Reporteri.net.
Osmani ka thënë se Republika e Kosovës po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Komandantja Supreme e FSK-së tha se me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken në korrik të vitit të kaluar, kanë diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS), për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.
“Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS”, ka shkruar Osmani.
Presidentja tha se ka besim të plotë që Kongresi Amerikan do të mbështes këtë shitje, siç e potencoi ajo për vendin më proamerikan në botë, si një akt që do ta rriste sigurinë në Kosovë, rajon e tërë kontinentin evropian.
“Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes.”
Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”, ka shkruar Osmani.