Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se pjesëtarët e Policisë së Kosovës në afërsi të Komunës së Podujevës i kanë drejtuar armët djalit të tij, Danilos, i cili ishte prezent në kremtimin e Ditës së Shën Vidit (Vidovdan) në Manastirin e Graçanicës – disa kilometra larg Prishtinës – duke kërkuar që të hiqte bluzën me mbishkrimin nacionalist “dorëzimi nuk është opsion”, por që ky i fundit ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
“Herën e fundit që ndaluan Danilon, jo shumë larg Podujevës, policia kërkoi që ai të hiqte me çdo kusht bluzën ku shkruhej ‘Dorëzimi nuk është opsion’. Danilo nuk u pajtua, dhe më pas i drejtuan armët dhe e pyetën ’emrin e babait?’ Ai u përgjigj: ‘Aleksandër! Ky është babai im dhe presidenti juaj!’ Bluzën nuk e hoqi, fytyra nuk ishte e njollosur. Dorëzimi nuk është një opsion!”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin e tij social në Instagram.
Ndryshe nga versioni i Vuçiç-it, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, theksoi se djali i presidentit serb, ka dorëzuar bluzën me mbishkrimin nacionalist pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët e kishin ndalur veturën e tij për kontroll.
“Danilo e dorëzoi fanellën në të cilën thoshte s’ka dorëzim. Djali i Vuçiç-it, Danilo paska ardhur në Kosovë me maicë Nema Predaje (S’ka dorëzim). Policia ia ka ndalur veturën, ia ka kontrolluar veturën dhe i ka thënë ta heq bluzën. Danilo e hoqi bluzën. Ka, ka dorëzim. (Ima, ima predaje)”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.